Tel Aviv ishte shpresa e këtij viti kalendarik për “popullin” kuqezi, me Shqipërinë që përsëri bën gabime dhe fal gola, a thua se këto të fundit i kemi me shumicë.
Në testin real, në edicionin ku edhe fati kërkoi të na jepte një dorë për të shkruar historinë, përsëri “ngelëm në klasë” dhe ngushëllimi i vetëm është fakti se, me 27 shtator, në “Air Albania” mund të sigurojmë vendin e dytë në duelin ndaj Islandës.
Por, a vlen vendi i dytë tani? Për këtë përgjigje duhet të presim ende, për momentin jemi forcë e tretë, në një grup ku Rusia është përjashtuar.
Ajo që duhet pranuar, është fakti se kombëtarja jonë nuk kishte hyrë në kolaudim përpara Izraelit, me shumë lojtarë, të cilët në fillimin e këtij sezoni kishin luajtur pak ose aspak, por edhe me një “mal” me mungesa në mbrojtje.
Në transfertën e Tel Aviv, Shqipëria dhe Reja u prezantuan me shumë ndryshime, jo vetëm në emra, por edhe në skemë, dhe pse taktikat ndryshuan shpesh.
Mbrojtja apo sulmi, fajtor për këtë rezultat dhe edicion?
Dy golat e pësuar në Tel Aviv ishin një “dhuratë” e hidhur, ndërsa në total kemi pësuar 5 gola, pa harruar faktin se ne jemi ndëshkuar rregullisht në tre ndeshjet e fundit në grup. Me një repart të “arnuar”, prapavija ishte përsëri “thembra Akilit” dhe gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.
Në çdo ndeshje, sidomos të fundit, jo vetëm në Nations League, por edhe në ato të kualifikueseve të Kupës së Botës, është më e lehtë të kujtosh gabimet, se rastet apo golat.
Sulmi është një “shtëpi” e mbushur me emra, por pa themele të forta. Ne shënojmë dhe ky është një fakt, por sa vlejnë golat? Kemi shënuar tre herë, Seferi, Broja dhe Uzuni nuk kanë mjaftuar. Dy “rrjeta” ndaj Izraelit që janë shumëzuar me zero dhe një ndaj Islandës, pas të cilit kapemi fort pasi na ka dhuruar pikën e vetme që kemi.
Përpara këtij edicioni, por edhe pak muaj më parë, Shqipëria zhvilloi dy miqësore, por asnjë gol. Pra, presioni i ndeshjeve zyrtare nuk është një alibi për t’u kapur, sepse edhe në teste miqësore nuk dalim mbi emocionet dhe peshën e një fanelle të rëndë, si ajo e Shqipërisë.
Futbolli nuk ekziston pa gabime, por kur përsëriten dhe janë gjithmonë prezente diçka duhet të ndryshoj dhe tani shpresa e vetme mbete që gabimet të minimizohen dhe Shqipëria të nis autokritikën.
Koha është në favorin tonë. Islanda është përpara dhe tani nordikët duhet të jenë “antipasta” e kthesës, pasi është ndeshja e fundit zyrtare për këtë vite dhe në horizont janë dy sfidat miqësore, ndaj Italisë dhe Arabisë Saudite, përpara se të nisin kualifikueset e Euro 2024 dhe deri atëherë Shqipëria duhet të rigjejë vetën dhe të ketë një ADN të saj.