Kombëtarja shqiptare do të luajë një miqësore me Arabinë Saudite më 26 tetor 2022. Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është arritur një marrëveshje me Federatën e Arabisë Saudite për të luajtur një ndeshje në qytetin e Abu Dabit në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas njoftimit të FSHF ora dhe stadiumi ku do të luhet kjo miqësore mbeten ende për t’u përcaktuar pas diskutimeve finale mes dy federatave. Kjo do të jetë ndeshja e parë në histori mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, që nuk janë përballur më parë në të kaluarën në futboll.

“Në muajt e ardhshëm deri në fillimin e Botërorit “Katar 2022”, Shqipëria do të luajë edhe miqësore të tjera sipas kalendarit të FIFA-s, teksa FSHF po punon për të zyrtarizuar edhe rivalët e radhës”, njofton Federata.

Në muajin shtator, Kombëtarja shqiptare do të luajë dy përballjet e fundit të grupit në UEFA Nations League. Më 24 shtator kuqezinjtë përballen në transfertë me Izraelin, ndërsa më 27 shtator do të presim Islandën në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Më pas do të jetë radha e ndeshjeve miqësore.