Shtëpia e Bardhë po mban zi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II. Presidenti Joe Biden e cilësoi monarken britanike si kontribuesen kryesore në marrëdhëniet e forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo u duk qartë pasi personalitete amerikane, përfshirë ish-presidentë, nderuan Mbretëreshën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton nga Uashingtoni.
Mbretëresha Elizabeth II nuk ishte e panjohur në Shtëpinë e Bardhë. Ajo erdhi këtu në katër vizita shtetërore, pesë darka shtetërore dhe dy vizita jozyrtare, duke takuar më shumë presidentë amerikanë se çdo kryetar tjetër shteti, thotë Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë.
Të enjten, presidenti Joe Biden urdhëroi uljen e flamurit në gjysmë shtize për nder të saj.
Njoftimi për vdekjen e mbretëreshës mbërriti në Shtëpinë e Bardhë ndërsa sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre po informonte gazetarët.
“Zemrat dhe mendjet tona janë me anëtarët e familjes mbretërore, tek njerëzit e Mbretërisë së Bashkuar”.
Presidenti Biden, i cili u takua me mbretëreshën tre herë, e vlerësoi atë për forcimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatin e tyre më të fortë.
“Mbretëresha Elizabeth II ishte një udhëheqëse me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme që thelloi aleancën bazë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo ndihmoi që marrëdhënia jonë të bëhej e veçantë”.
Monarkja më jetëgjatë e Britanisë ishte gjithashtu një promovuese e vetëqeverisjes. Gjatë një fjalimi të vitit 1991 në një sesion të përbashkët të Kongresit amerikan, ajo tha se të dy vendet ishin të bashkuar përmes “frymës demokratike”.
Gjatë jetës së saj, Mbretëresha mbikëqyri pavarësinë e 17 vendeve afrikane nga sundimi britanik.
Në fillim të këtij viti, trashëgimtari i saj, Mbreti Charles III, u zotua të vazhdojë të respektojë sovranitetin e mbi 50 anëtarëve të Komunuelthit të përbërë kryesisht nga ish-kolonitë.
“Jeta e gjatë më sjell përvojën se marrëveshje të tilla mund të ndryshojnë, me qetësi dhe pa urrejtje. Por siç thashë në Barbados nëntorin e kaluar, ne nuk duhet të harrojmë kurrë gjërat që nuk ndryshojnë”.
Ish-presidenti Barack Obama gjithashtu dërgoi ngushëllimet e tij, duke vlerësuar “trashëgiminë e shërbimit publik të palodhur dhe dinjitoz” të mbretëreshës.
Ajo e shihte atë detyrë si veprën e jetës së saj. Në asnjë moment të mbretërimit të saj 70-vjeçar, mbretëresha nuk ushtroi kurrë atë që njihet si “privilegj mbretëror”, refuzimi për të emëruar një zyrtar të zgjedhur në mënyrë demokratike për formimin e qeverisë.
Dhe nuk ishte ndryshe dy ditë para vdekjes së saj kur, në pronën e saj në Skoci, ajo ftoi Liz Truss, tani kryeministre, për të bërë një gjë të tillë.