24 orë afat! Ky ishte ultimatumi i vendosur nga kryeministri Edi Rama ndaj Ambasadës iraniane në vendin tonë, pas ndërprerjes së menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Islamike të Iranit. Rama deklaroi se ambasadës i është dërguar një notë për njoftimin e vendimit.

Gjatë orëve të fundit në Ambasadën e Iranit ka pasur disa lëvizje. Fillimisht, një kamionçinë është vendosur në ambientet e brendshme, për të kryer zhvendosjen e objekteve që ndodhen në të. Ndërsa, Pak para mesnatës, në ambientet e brendshme të godinës së Ambasadës së Iranit, në rrugën “Mustafa Matohiti”, kamera e “News 24”, konstatoi një dritë të shkaktuar nga flaka brenda godinës diplomatike, ndërsa në ajër, shquheshin shtëllunga tymi dhe erë tymi.

Nuk dihet saktësisht se çfarë po ndodhte në Ambasadë në ato momente dhe çfarë ishin duke djegur punonjësit e saj. Afati 24 orësh përfundon sot në mesdite, ku në ambasadën iraniane nuk shihen më lëvizje.

Pas vendimit për prishjen e marrëdhënieve, Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, hodhi poshtë pretendimet e qeverisë së Shqipërisë kundër Republikës Islamike të Iranit duke i cilësuar si të pabaza, dhe e cilësoi vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet politike me vendin tonë, një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai shtoi se vendet e treta që mbështesin terrorizmin kanë luajtur një rol kyç në vendimin e gabuar të Shqipërisë, duke ju referuar këtu Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikë.

Kujtojmë se prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve ka ardhur pas sulmit kibernetik të 15 korrikut mbi sistemin e të dhënave online të vendit tonë, që nxori jashtë funksionit disa faqe qeveritare. SHBA i ka dalë në krah Shqipërisë në këtë vendim, duke theksuar se do të shtojnë sigurinë në vend, ndërsa opozita, nënvizoi se vendimi është i duhur, por i vonuar, pasi ka cenuar rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, një reagim ka pasur edhe nga Ministria e Jashtme e Iranit. Ministri i Jashtëm, Nasser Ka’nani ka thënë se pretendimet e Shqipërisë ndaj vendit të tyre janë të pabaza, e ata thonë se Shqipëria në këtë akt, është e ndikuar nga vende të treta, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.