Prania e muxhahedinëve disidentë është bërë shkak për acarim të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe aleat i ngushtë me SHBA, ka mirëpritur në 6 vitet e fundit rreth 3 mijë anëtarë të kësaj organizate.
Zhvendosja e tyre në Shqipëri, nga bazat amerikane në Irak, ku u rrezikohej jeta nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane, është bërë në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare, të nënshkruar në vitin 2013, me bazë motive humanitare. Irani e konsideron MEK një organizate terroriste, teksa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar më herët strehimin e muxhahedinëve si “një risk që i bën nder Shqipërisë, që është në vazhdën e traditës shqiptare” duke lënë të kuptohet strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Ai ka deklaruar aso kohe që Shqipëria i ka strehuar disidentët iranianë “në funksion të aleancës strategjike dhe të padiskutueshme me SHBA”.
Në muajin korrik të këtij viti, qeveria shqiptare dha paralajmërim për një akt të mundshëm terrorist në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, ku për mikrofonin e Report Tv, muxhahedinët thanë se tentativa ishte i organizuar nga regjimi iranian.