Përgjigja e menjëhershme me sanksione ndaj sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë, ishte pjesë e një strategjie drejt synimit për të parandaluar sulmet kibernetike në të ardhmen. në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Teknologjinë Kibernetike dhe atë në Zhvillim, Anne Neuberger rrëfeu se kjo strategji përfshin zgjerimin e koalicionit që i konsideron përgjegjës ata që kryejnë sulme të tilla, dhe parashikon një kundërpërgjigje të shpejtë me pasoja.
Edhe pse administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Iranit në rastin e parë, Shqipëria u godit edhe nga një sulm i dytë kibernetik, zyrtarja e lartë e nënkuptoi se për të frenuar episode të tilla, vendi ynë duhet të marrë një ndihmë më të gjerë.
“Parandalimi i sulmeve kibernetike është një fushë shumë e re dhe bazohet në mësimet dhe qasjen që përdorim në fusha të tjera, si sulmet nga ajri dhe deti, si të ndërtojmë koalicione mes vendeve në lidhje me atë që përbën një sjellje të përgjegjshme në hapësirën kibernetike dhe atë që përbën sjellje të papërgjegjshme. Kjo është arsyeja që kur pamë sulmin iranian ndaj Shqipërisë, i cili ndërpreu shërbimet e qeverisë shqiptare për qytetarët e saj, ne dhe vendet e tjera e denoncuam për ta bërë të qartë që pas tij ishte Irani, dhe për të imponuar pasoja. Ky parandalim nuk do të realizohet me një apo dy raste. Do të realizohet nese reagojmë shumë më shpejt se në të kaluarën. Po ashtu për të arritur këto synime strategjike të zbatimit të normave ndërkombëtare kibernetike, nëse reagojmë në mënyrë të përsëritur, si komunitet vendesh, besojmë se mund t’i parandalojmë sulmet kibernetike”.
Sipas Neuberger, në shumë aspekte, vendet më të dobëta janë ato që janë më të cenueshmet nga sulmet kibernetike ndaj sistemeve të tyre qeveritare, kompanive ose vjedhjes së pronës intelektuale. Që do të thotë se bashkimi është në interesin e të gjitha vendeve, qofshin të mëdha apo të vogla, sepse të gjithë tani janë të dixhitalizuar. Zyrtarja e lartë reagoi edhe ndaj shqetësimeve se Irani mund të ketë fituar qasje në të dhënat e ndjeshme të NATO-s, sic u përfol për vjedhjene mundshme të qindra dokumenteve të aleancës në Portugali.
“Është e qartë nevoja që të ketë praktika të mira të sigurisë kibernetike në mes gjithë anëtarëve të NATO-s. Çdo anëtar i NATO-s duhet ta kuptojë që sjell rreziqe për të gjithë aleatët nëse nuk zbaton praktikat e duhura të sigurisë kibernetike. Kjo është një nga arsyet që ne kemi punuar shumë nga afër në kontekstin e aleancës për sa i përket sigurisë kibernetike dhe për të krijuar aftësitë e reagimit ndaj incidenteve të tilla. Mendoj se tani ka një ndërgjegjësim shumë më të thellë në NATO dhe një ndërgjegjësim për të bashkuar aleatët që të marrin masa të përbashkëta të sigurisë kibernetike, për informacione të rëndësishme”.