Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar në lidhje me qëndrimet publike si dhe mënyrën e raportimit në media për sulmet kibernetike nga Irani. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se për këto sulme nga një shtet agresor ka shumë trillime dhe tregohet një ligësi e neveritshme në raport me vendin dhe njerëzit.
“Kënaqësia që pjell kaq shumë trillime, shpotitje dhe akuza lidhur me sulmet kibernetike nga një shtet agresor, përveçse për padije të thellë mbi fushën e përtaci të madhe ndaj informacionit, flet për një ligësi të neveritshme në raport me vendin e me njerëzit e këtij vendi”, shkroi Rama në Tëitter.
Opozita ka gjetur përgjegjëse qeverinë për sulmet kibernetike nga Irani, duke theksuar se dëshmi që vendi është i pambrojtur. Opozita kërkon nga qeveria të punojë për të rritur masat e sigurisë për shmangien e sulmeve kibernetike nëpërmjet investimeve serioze.
Ndërsa një lajm të publikuar një ditë më parë në media, në lidhje me mosfunksionimit e sistemit TIMS në pikat kufitare pas sulmit të dytë kibernetik të Iranit, kreu i qeverisë e cilësoi si lajm i një fesë tallavaje dhe që disa portale që s’duan t’ia dinë për informimin e publikut.
Sistemi TIMS në vendin tonë u bë pre e një sulmi kibernetik nga qeveria e Iranit të premten në mbrëmje, duke shkaktuar radhë në të gjitha pikat kufitare në vend. Pas pak më shumë se 24 orësh ndërprerje sistemi TIMS u rikthye në normalitet në të gjitha pikat kufitare.
Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë. Herën e parë, në korrik të këtij viti goditi shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara, Si rezultat i hetimeve u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Nisur nga provat e pakundërshtueshme, Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.