Qeveria e ka gati planin për të forcuar sigurinë kibernetike pas sulmeve që u ndërmorën nga Irani ndaj portalit qeveritar dhe sistemit TIMS. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në Komisionin e Ligjeve. Spiropali nuk zbuloi shumë detaje, pasi tha se në këtë fazë projekti është konfidencial.
Ajo bëri me dije se një raport mbi sulmet kibernetike i është dërguar edhe aleatëve ndërkombëtar, konkretisht DASH, Komisionit Europian dhe NATO-s, të cilët kanë premtuar edhe mbështetje për Shqipërinë sa i përket kësaj çështjeje.
Ministrja tha se sulmet kibernetike nuk kanë shkaktuar dëme serioze të rrjedhjeve të ët dhënave, por theksoi se forcimi i sistemeve është shumë i rëndësishëm, prandaj ky plan do të jetë i kushtueshëm. Ajo kërkoi mirëkuptimin e opozitës, ndërsa u bëri thirrje që të ulen të diskutojnë dhe më pas kur ky plan të vijë në Kuvend ta miratojnë.
“Nuk është një grup fëmijësh që gjunjëzoi shtetin shqiptar, ja që paska qenë një sulm i sponsorizuar nga një shtet armiqësor, që ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Ka reaguar SHBA, aleatët, NATO. Është sulm shumë serioz mbi sistemet tona. A janë dëmtuar të dhënat në mënyrë të pakthyeshme? Jo. A janë shkatërruar shërbimet që ofrohen përmes sistemit tonë digjital? Jo. Pra kemi mbërritur që të parandalojmë një dëm që mund të kishte shkatërruar sistemin e shërbimeve qeveritare. A kem një plan për në vazhdim? Ky plan në këtë fazë është konfidencial. Një raport i plotë është dorëzuar në DASH, Komisionin Europian, NATO, dhe në momentin që do vijë edhe për buxhetim në parlamentin shqiptar, këto janë projekte madhore të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e sistemeve të back up me dhoma, që normalisht do të kushtojë shumë. Të gjithë bashkë, duhet të diskutojmë dhe patjetër edhe të miratojmë këtë mbështetje për këto sisteme”, tha ministrja.