AMA i ka kërkuar mediave që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale dhe të mos publikojnë të dhënat që janë siguruar nga grupi i hakerave iranianë në sulmin kibernetik në faqet e institucioneve publike.
AMA thekson se duhen respektuar kërkesat e Kodit të Procedurës Penale dhe programet audiovizive informative të mos bien pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë duke nxjerrë të dhënave sekrete. Ndër të tjera bëri apel që të mos bëhen publike përmbajtje të tjera në mënyrë që të mos dekonspirohet hetimi.
“AMA ka identifikuar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike. Mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, sipas përfaqësuesve të prokurorisë që po hetojnë rastet.
Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licencuara, AMA, ka pritmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.
Fakt është një pjesë e OSHMA-ve nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë, ndërkohë që bëjmë apel dhe kërkojmë që dhe nga OSHMA të tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, prokuroria njoftoi se është vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi faqet qeveritare dhe sistemin TIMS të Policisë së Shtetit. Në rast shkelje të këtij vendimi, do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal.
Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat prej gati 4 javësh mbetën të bllokuara. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Ndërsa më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS. Ky sulm ‘paralizoi’ për disa orë pikat e kalimit kufitar të të gjithë vendit, në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë, ku policia hapi regjistrat duke punuar manualisht.