Një ditë pasi Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, një reagim ka ardhur nga NATO të cilët konfirmojnë mbështetjen ndaj vendit tonë, duke dënuar aktivitete keqdashëse kibernetike për destabilizimin e sigurisë.

Kreu i NATO, Jens Stoltenberg me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se ekspertët e Aleatëve po ofrojnë mbështetje. Ai shton se NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë mbrojtjen: për të penguar, mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike.

“Dënoj fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj #Shqipërisë, të cilin Tirana dhe aleatët e tjerë ia atribuojnë Iranit. #NATO dhe ekspertët e Aleatëve po ofrojnë mbështetje. NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë rojet tona: për të penguar, mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike”, shkruan Stoltenberg.

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Shkak për këtë u bënë “provat e pakundërshtueshme” për sulme kibernetike.