Dy sportele të kalimit kufitar në aeroportin e Rinasit janë rikthyer tashmë në funksionim normal të sistemit TIMS, duke lehtësuar punën e autoriteteve dhe duke shmangur radhët e gjata.
Lajmin e ka bërë publik vetë Ministria e Brendshme, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Të angazhuar për kthimin e sistemit, bëhet me dije se kanë qenë edhe ekspertët e huaj të vendeve aleate, të cilët janë zotuar se do të ndihmojnë Shqipërinë të mbrohet nga sulmet kibernetike të Iranit, pas atij fillestar të 15 korrikut 2022.
Shumë shpejt ndërkaq, garantohet se do të ketë rikthim të plotë të sistemit jo vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e tjera kufitare shqiptare.
Njoftimi i Ministrisë së Brendshme:
Në vijim të punës së pandërprerë nga ekspertët tanë dhe ata të vendeve aleate, aktualisht dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS. Shumë shpejt do të kemi rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.