Tashmë nuk ka asnjë dyshim që sulmet kibernetike të njëpasnjëshme që iu kanë dhënë vendit tonë, që nga institucionet qeveritare e deri tek sistemi TIMS dhe faqja e Policisë së Shtetit të mos kenë prapavijë iraniane.

SULME-KIBERNETIKE

Ndonëse shenjat dhe gjurmët e një hatërmbetjeje të vazhdueshme janë shënuar që në muajin korrik në vendin tonë, qeveria e pa të udhës të ndërhynte vetëm pak ditë më parë për të bërë të mundur largimin e gjithë ambasadës iraniane nga vendi jonë ndërkohë që organizatat ndërkombëtare partnere në sigurinë tonë kibernetike dhanë sinjale të padyshimta që bëhet fjalë për një sulm nga grupe hakëruesish nga Irani.

E kjo ka dyshime të ketë ndodhur që në krye të herës kur u sulmua “e-Albania”, duke paralizuar për disa ditë me radhë thuajse gjithë site-t qeveritare. Por u dyshua dhe vijon të jetë nën hetim edhe një grup rus, që sipas të dhënave hetimore janë në bashkëpunim me hakerat iranianë që duan ë hakmerren për strehimin e elementëve opozitarë në vendin tonë.

Për këtë fakt dhe shumë të dhëna të tjera që nuk janë bërë publike për shkak se përbëjnë sekret hetimor, një grup prokurorësh dhe ekspertësh të hetimit të krimit kibernetik janë bashkuar dhe kanë nisur hetimet. Por për të kryer me sa më shumë efikasitet këtë hetim është kërkuar edhe ndihmë nga ekspertë dhe hetues të kësaj vepre penale nga vende të huaja që janë edhe më të përparuara në këtë fushë.

HETIMET

Sulmi kibernetik ndaj sistemeve qeveritare dhe ai ndaj sistemit TIMS, tri ditë më parë po hetohet në një dosje të vetme, pasi ka dyshime të forta se janë kryer nga i njëjti grup hakerash, prapa të cilëve dyshohet të jetë Republika Islamike e Iranit. Grupi hetimor i kryesuar nga Bledar Valikaj, i cili po asistohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ka kërkuar ndihmën e disa shteteve të huaja. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë bënë me dije se nëpërmjet 18 letërporosive, të cilat janë dërguar në shtete të ndryshme, kërkohet identifikimi i IP-ve, të cilat rezultojnë të jenë të lëvizshme dhe përmes tyre janë sulmuar sistemet qeveritare dhe ai TIMS.

Grupi hetimor pritet të bëjë pjesë të dosjes edhe raportin e kompanisë “Microsoft”, e cila u thirr nga qeveria shqiptare, për të bërë investigimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë në muajin korrik. Kompania thotë se arriti të gjurmojë 4 grupe sulmuesish të lidhur me shërbimet inteligjente të Iranit. Sipas “Microsoft”, fillimisht hakerat ndërhynë në një server të pambrojtur të faqes “administrata.al”, në maj të vitit të kaluar, që është edhe thyerja e parë e sistemit. Sulmi u përshkallëzua në korrik të 2022-shit kur hakerat tentuan inkriptimin dhe fshirjen e të dhënave në server, por sipas kompanisë sulmi dështoi. Kompania thotë nga investigimi rezultoi se njëri prej grupeve, që u përfshi në hyrjen fillestare dhe vjedhjen e të dhënave, është i lidhur me “EUROPIUM”, një grup i lidhur publikisht me Ministrinë e Inteligjencës së Iranit. “Microsoft”, në raport thotë gjithashtu se janë zbuluar edhe të dhëna të tjera, që e lidhin sulmin me Republikën Islamike të Iranit.

Sulmi kibernetik tensionoi edhe me shumë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit. Qeveria dëboi nga vendi të gjithë diplomatët iranianë dhe stafin e ambasadës. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit janë të tensionuara prej vitit 2013, kur qeveria shqiptare strehoi anëtarët e grupit Muxhahedin, një grup opozitar ndaj regjimit në Teheran. Irani i konsideron anëtarët e MEK si terroristë dhe përgjatë këtyre 9 viteve janë shënuar një sërë incidentesh, përfshirë dëbimin e disa diplomatëve iranianë, apo arrestimi i një ish-anëtari të kampit muxhahedin nën dyshimet për terrorizëm.

Nuk dihet se kur do të përfundojnë hetimet e nisura në këtë drejtim, apo edhe vetë sulmet e këtyre grupeve, që sipas zërave zyrtarë që merren me verifikimin e këtyre sulmeve bëhet me dije se vijnë nga Irani, po pa përjashtuar edhe një grup rus me qëllime të sakta për të dhënë mesazh për shkak të pozicionimit të vendit tonë në krah të Ukrainës. Megjithatë sistemi TIMS prej ditësh ka qenë me probleme, ndonëse policia e shtetit nxori informacion zyrtar vetëm afër mesnatës së të premtes, kur shqiptarët që udhëtonin për Greqi nuk mund të kalonin në sistem!