Tedi Cara ishte protagonist në minutën e 14-të me një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, por e shijoi vetëm për pak sekonda, sepse në momentin kur po shkonte të festonte te pankina, u godit nga një shishe dhe u gjakos. Ai tregon se ka tri të çara në fytyrë dhe shtatë qepje gjithsej, teksa zbulon edhe detajin se shishja ishte me akull, çka e bën edhe më të dhunshëm këtë akt të tifozit, i cili nuk është identifikuar ende. Në intervistën për “Panorama Sport”, kavajasi theksoi se ka rezerva edhe për veprimet e policisë.

Fillimisht, a jeni më mirë, si është gjendja juaj?

Tani sapo kam mbaruar tërësisht trajtimin nga mjekët dhe jam më mirë, jam stabilizuar dhe kam marrë edhe medikamentet e nevojshme.

Sa të qepura keni në fytyrë?

Kam shtatë të qepura gjithsej në tri pjesë të ndryshme. Te vetulla, poshtë syrit dhe në faqe, afër pjesës së buzës.

Sa larg syrit është e çara? Keni rrezikuar?

Shumë afër, për pak mund të kapte edhe syrin. Fatmirësisht shpëtoi.

Çfarë sendi ishte ai që u hodh drejt jush?

Mesa arrita të dalloj dhe mesa më thanë edhe shokët, ishte një shishe plastike uji, e mbushur me akull. Prandaj edhe të çarat ishin në këtë masë, sepse po të ishte një shishe me ujë të lëngshëm, nuk do të kisha aq të çara. Mjekët në atë moment u habitën, sepse nuk e menduan se si një shishe uji mund të shkaktojë një të çarë të tillë, në tri pozicione. Por ajo kishte qenë me akull.

Përveç kësaj, shënuat një gol shumë të bukur. Përtej dëmtimit, sa ju gëzon goli?

Isha shumë i lumtur në atë moment, por që nuk arrita ta gëzoj gjatë. Unë i kisha praktikuar shumë goditjet e lira në stërvitje dhe trajneri kishte besim tek unë. Kur po i shënoja radhazi në stërvitje, trajneri më tha se nëse i gjuan kaq mirë faullet, do t’i godasësh edhe në ndeshje dhe besoi se do t’i shënoja. Dhe fatmirësisht e bëra.