Nga Mero Baze/

Gjithë vera na kaloi me paralajmërime të ashpra se në shator do të ketë revolucion, përmbysje dhe një rebelim të pashoq opozitar. Frika ishte se në shtator Gjykata mund të jepte një vendim për legjitimitetin e PD dhe duhej ngritur tensioni. Siç u bë në korrik. Tani mesi i shtatorit ka kaluar dhe i vetmi funeral i protestave u zhvillua aty ku ka dhe vendin, pranë varrezave të Sharrës.

I vetmi revolucion i vërtetë, ka qenë sulmi i pashoq i Berishës dhe mbështetësve të vet, kundër Partisë Demokratike si një parti e financuar nga rusët. Siç, dihet qëllimi i financimeve ruse është që në krye të partive të vihen elementë anti-perëndimorë dhe në këtë pike, rusët duket se kanë arritur disa rezultate në dy parti opozitare, PD dhe Parti e Lirisë.

Tani kanë filluar paralajmërime të reja për protesta, por që nuk do të jenë si të mëparshmet, që nuk kanë konkluduar në përmbysje pushteti. Tani po paralajmërohen protesta që do të sjellin në pushtet opozitën. D.m.th. është hequr dorë nga ardhja në pushtet me vota, apo zgjedhje. Së paku aq sa mund t’u zërë besë njeriu mendve të Edi Palokës, këtë radhë protestat do përfundojnë me ardhje në pushtet.

Sipas gjasave, këto protesta do jenë të ngjashme me Revolucionin e Tetorit. Meqë shtatori nuk qullosi gjë, vëmendja ka kaluar tek tetori, pasi Gjykata ka thënë që në fund të shtatorit mund të marrë vendim.

Nëse dhe tetori dështon, nuk është problem, se siç dihet dhe Revlucioni i Tetorit është bërë në nëntor. Kështu që ka tolerancë.

Me sa duket revolucioni do një shenjë që të nisë. Do një sinjal. Do një arsye. Dhe këtë e ka në dorë Gjykata e Tiranës.

Nëse ajo jep vendimin për legjitimitetin e Lulzim Bashës në krye të PD, atëherë nis Revolucioni i Tetorit. Kjo do të ishte një ngjarje e madhe, pasi do të motivonte çdo demokrat të Berishës të hidhej në zjarr për liderin e vet.

Nëse Gjykata ja lë vulën Berishës, atëherë motivi për revolucion do zbehet dhe demokratët do jenë të kënaqur si zakonisht, që vërtet nuk e mundin dot Ramën, por ama Bashës ja tregojnë vendin.

Se në fund të fundit gjithë këto paralajmërime për dhunë nuk bëhen kundër Ramës, por thjesht për të trembur Gjykatën që të mos japë vendimin për Bashën.

Dhe me thënë të drejtën, nuk është se nuk e kanë trembur. Kanë 7 muaj nuk japin një vendim që do 7 minuta punë, duke na bërë peshqesh çdo muaj nga një revolucion në letër.