Nga Artur Ajazi/
Prishja e ligjshme e ndërtimeve pa leje në “Prestige Resort”, duket sikur ringjalli “zemëratën” e papritur të çdo mbrojtësi që paguhet nga Irfan Hysenbelliu. Nxituan deputetë, drejtorë të medias së tij, nxituan analistë zarfesh dhe ata që punojnë në resort, duke mos harruar të intervistojnë edhe ndonjë turist të huaj, që i hutuar nuk dinte ç’të thoshte lidhur me ngjarjen e pritshme. Irfani kishte vite që nuk paguante detyrimet ndaj shtetit, ashtu siç kishte vite që nuk plotësonte kushtet e lejes së dhënë, dhe kjo ishte arsyeja më e fortë e aksionit të IKMT.
Fillimisht aksioni dukej si tendecioz dhe i qëllimshëm, ende pa dalë reagimi nga institucionet e qeverisë. Por kur Ministria e Brëndshme, IKMT-ja dhe ajo e Turizmit dolën me deklaratë dhe reagim zyrtar, gjithçka u qartësua. Ekranet e Irfanit u mbushën me deklarata dhe thirrje “qeveri e poshtër, prishi imazhin e resortit, dëmtoi turizmin, duan ti mbyllin gojën medias së lirë”. Irfani e shftytëzoi mrekullisht median e tij, për tu viktimizuar, madje u tha se “drejtësia do të japë verdiktin e saj për këtë goditje të Ramës”.
Askush, nuk tha një fjalë të vetme për shkeljet e bëra, për 2 pishinat e ndërtuara pa leje, për gardhiqet e shëmtuara, askush nuk ju referua dokumentacionit zyrtar dhe paralajmërimit që e disponon edhe pala e dëmtuar, askush nuk tha se “Irfani ishte paralajmeruar 6 vite më parë për kushtet dhe kriteret që duhej të zbatonte”, por të gjithë ju sulën kryeministrit. Madje Irfani nxitoi të fuste në “vallen” e tij të paligjshmërisë edhe emra të njohur të politikës, (duke publikuar foto) për ti implikuar ata në lojën dhe shkeljet e tij ligjore. Ai në fakt, është një prej atyre që vizitën e ndonjë politikani apo kryeministri në televizionin apo resortin e tij (thjesht për kortezi), e sheh dhe përdor si mbrojtje të sigurtë për rritjen dhe zgjerimin e biznesit, edhe pse duke shkelur ligjet dhe normat e vendosura nga shteti. Sali Berisha (që dikur e quante Fanen (kapterri i Taulantit, që zhvat paratë e inceneratorëve) nxitoi i pari të mbronte zaptuesin e 4 mijë metrave katrore në bregdet, duke e quajtur atë “qëndrestar i paepur i regjimit të Ramës”.
Aksioni i ligjshëm i IKMT-së, nxorri zbuluar ndotjen e madhe të një pjese të mirë të politikës aktuale në Shqipëri, dhe atyre që paguhen nga oligarkët e medias së kapur, që nuk paguajnë as detyrimet ndaj shtetit. Por sot kur gjithçka u zbulua, të gjithë janë kundër Irfanit, të gjithë janë kundër atij që nuk njeh kufinj në rritjen e pasurisë dhe shkel ligjin, madje arrin deri aty, sa nuk paguan as detyrimet ndaj shtetit. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Ligji duhet të jetë i ashpër ndaj kujdo që pasurohet duke përdorur foton me ndonjë politikan apo kryeministër, për të zgjeruar gardhiqet e biznesit apo katet e pallatit që ndërton. Irfani ka vite që keqpërdor miqësitë, takimet apo vizitat e ndonjë qeveritari në studiot e televizionit tij, por duket se kjo “nuk i eci” gjatë me Edi Ramën.