Gjithnjë e më shumë në mediat britanike po pasqyrohen lajme për emigrantët shqiptarë që largohet drejt Mbretërisë së Bashkuar, e theksi vihet se ato nuk merren me “punë të pastra”, po bëhen pjesë e botës së trafikut të drogës”. “The Times” ka bërë një shkrim të historisë së shqiptarëve që zgjedhin të largohen, teksa mes rreshtave edhe Fation Dautit, një personazh i njohur për vendin tonë, pasi u pa krah ish-kryeministrit Sali Berisha në një nga protestat, ku shkelmoi derën e selisë së PD-së.

‘The Times’ e përshkruan si “trafikanti i drogës që po bën bujë në politikën shqiptare”, referuar lidhjeve me Sali berishën, në kohën kur ky i fundit po tentonte të futej se Selinë e PD-së, kur kjo e fundit drejtohej nga Lulzim Basha.

“Ndërsa Britania e Madhe rrit numrin e riatdhesimeve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, një trafikant i dyshuar droge, të cilit tashmë i është ndaluar hyrja në Britani, po bën bujë në politikën shqiptare.

Fation Dauti, i cili drejtonte një Bentley, iu sekuestrua rezidenca në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 pasi Agjencia Kombëtare e Krimit siguroi prova se ai ishte një lojtar kyç në biznesin e kokainës dhe kanabisit në Britani, i lidhur me trafikun e njerëzve dhe i akuzuar për dhunë. Megjithatë, avokati i tij, Hektor Lahi, tha për “The Times” se Dauti ka deklaruar gjithmonë se është i pafajshëm dhe po kërkon të drejtat e tij.

Dhjetorin e kaluar, në Tiranë, Dauti u filmua përballë një turme mbështetësish të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në video, ai shihet duke shkelmuar derën e një sallë takimesh në selinë e partisë së Berishës gjatë përleshjes mes fraksioneve rivale të partisë.

Në atë kohë, Partia Demokratike u nda në dy grupe rivale, njëra e udhëhequr nga Berisha, dhe kundërshtarët e tij që kishin mbyllur derën e sallës së mbledhjeve për të mos lejuar që mbështetësit e tij të mblidheshin atje. “Dauti nuk e përfaqëson partinë në asnjë mënyrë. Ai ishte atje si aktivist”, tha aso kohe një zëdhënës i partisë.

Vetë Berishës i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për dyshimet se ai është i përfshirë në korrupsion – pretendime që ai i mohon. Ai ka raportuar se Britania e Madhe e ka akuzuar atë për “marrëdhënie me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar” dhe se ai ishte i gatshëm t’i përdorte këto lidhje” për të çuar përpara ambiciet e tij politike”, shkruhet në artikull.

Dauti rezulton person me precedent penal, person me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave. 8 vite më parë ai u qëllua me 7 plumba në lokalin e tij, ndërsa sipas mediave britanike ai njihej me emrin ‘B9’ “Boss Krimi”, i akuzuar për ‘përmbytjen e vendit me hashash dhe kokainë’.