Ardian Mema e njeh shumë mirë ambientin bardheblu të Tiranës, sepse ka luajtur dhe i ka drejtuar këto ngjyra. Pas katër javësh kampionat, ish-trajneri analizon për “Panorama Sport” startin e kampionëve në fuqi të Superiores. Mema thotë se e rëndësishme është loja e mirë, pasi rezultatet do të vijnë, megjithëse shprehet se ndryshimet e tepërta e kanë dëmtuar Tiranën. Ai ka një koment edhe për largimin e Gegës nga Kukësi, por edhe rivalin që do të konkurrojë Tiranën për titull.
Profesor si jeni, në këto javë kampionat, çfarë ju ka pëlqyer dhe çfarë nuk ju ka pëlqyer te Tirana?
Të kesh oshilacione në ekip është e pranueshme. Mendoj se Tirana e luan shumë mirë futbollin, ndoshta edhe fati mund të jetë në mes. Ndeshja me Shkodrën nuk duhet të ishte humbur, por unë e shoh Tiranën me të ardhme. Më kujtohet edhe vjet kampionati, nuk është se e filloi mirë, por e përfundoi goxha mirë. Tirana është ekip që luan mirë, dhe unë i jap rëndësi lojës, sepse ajo të jep garanci për të ardhmen. Nëse je ekip që luan keq dhe fiton, për mua është diçka që do të humbasë rrugës, ndërsa kur je në pozita të mira, kontrollon topin, je ti që ndikon te kundërshtari, atëherë fitoret do të vijnë patjetër.
A i përballon Tirana kaq shumë ndryshime?
Zakonisht ndryshimet sjellin vështirësi, sidomos kur është krijuar një lloj stereotipie në ekip, pra siç ishte kampionati i vjetshëm. Tirana ishte e suksesshme, ishte një ekip që sulmonte ose kishte zgjedhur mënyrën e duhur për të sulmuar, duke pasur në organikën e vetë lojtarë si Seferi, Toli, Hoxhallari. Por është diçka që ka ndodhur në futboll dhe do të ndodhë, do të vijnë lojtarë dhe do të ikin lojtarë. Zotësia e kësaj pune është se si do t’i përshtatësh gjërat shpejt për të kapur ritmin e garës, ritmin e kampionatit dhe për të qenë sërish kompetitivë në vazhdimësi. Unë mendoj se ndryshimet e tepërta bëjnë dëm, por Tirana nuk është se ka marrë lojtarë jocilësorë, janë me cilësi, thjesht u duhet koha e duhur për ta kualiduar ekipin.
Ka pasur një ofertë për trajnerin Shehi nga Shkëndija e Tetovës, sa mendoni se ndikon në ambientin bardheblu, duke qenë se ai është në kontratë me klubin?
Unë e kam dëgjuar si lajm, por në momentin që nuk pohohet dhe as mohohet, atëherë fillohet të aludohet. Në kushtet e kontratës, trajneri duhet të respektojë atë në një situatë të tillë. Shkëndija vitet e fundit ka një zë shumë të madh në Maqedoni, por edhe Tirana është një zë shumë i madh në Shqipëri, midis dy alternativave mendoj që do të zgjidhja Tiranën. Shumë trajnerë kanë oferta edhe gjatë kohës së kontratës, por duhet ta respektosh atë, ose bën një marrëveshje klub me klub dhe bie dakord.