Ish-kreu i PSD-së, Tom Doshi u pa sot në ambientet e kryeministrisë. Pas videos që qarkulloi në media dhe aludimet mbi vizitën e tij, Report Tv u interesua në lidhje me personin që zoti Doshi ka takuar ditën e sotme.
Burime pranë zyrave të godinës qeveritare u shprehen se Tom Doshi ka qenë tek një nga zyrat e Bashkëqeverisjes, të ndodhura në katin e parë të godinës se Këshillit të Ministrave. Ai ka debatuar për disa ankesa nga Shkodra për administratën shtetërore dhe pastaj është larguar. Tom Doshi është parë të hyjë e të dalë nga ambientet e Këshillit të Ministrave nga hyrja e përdorur nga administrata ne godinën e cila më parë ka qenë në përdorim te Ministrisë së Financave dhe ku sot drejtohen edhe qytetarët.
Praninë e Doshit në Kryeministri e komentoi edhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili u tha gazetarëve se ai nuk përgjon se kush futet brenda ambienteve të kryeministrisë, ndërsa shtoi se ka axhendën e tij politike.