BE dhe SHBA u shprehën të tronditura pas zbulimit të kufomave në afërsi të qytetit ukrainolindor, Isjum. Qeveria amerikane e quajti “të neveritshme”, kurse BE bëri fjalë për sjelle çnjerëzore të trupave ruse.

“Ne i dënojmë ashpërsisht aktet e mizorisë” deklaroi i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell. BE u shpreh e tronditur pas gjetjes së kufomave në afërsi qytetit Isjum, të çliruar. Lufta agresore e Rusisë lë pas një vazhdë të gjederdhjes dhe shkatërrimit të Ukrainës, shtoi Borrell.

“Mijëra civile janë vrarë, shumë të tjerë janë torturuar, keqtrajtuar, dhunuar seksualisht, rrëmbyer apo dëbuar me dhunë, Kjo sjelle çnjerëzore e trupave ruse duke injoruar plotësisht të drejtat ndërkombëtare humanitare dhe Konventën e Vjenës duhet të ndalë menjëherë”, theksoi Borrell. Rusia, udhëheqja e vendit dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për këto shkelje në Ukrainë do të dalin para përgjegjësisë, bëri të ditur Borrell. BE i mbështet të gjitha këto përpjekje.
Qeveria amerikane e quajti “të neveritshme” zbulimin e varreve në Isjum. “Kjo i përshtatet për fat të keq mënyrës së zvetënuar dhe brutalitetit me të cilin trupat ruse po e zhvillojnë këtë luftë kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas”, u shpreh drejtori i komunikimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby. “Kjo është absolute e zvetënuar dhe brutale.” Po bëhet gjithnjë e më e qartë, se për çfarë janë të aftë presidenti Putin dhe ushtarët e tij, tha Kirby.

Në afërsi të Isjumit u zbuluan më shumë se 440 varre, raportoi presidenti ukrainas, Zelensky. “Tani është herët të flasim për numrin e njerëzve të varrosur, hetimet vazhdojnë”, tha Zelensky në një video të publikuar të premten duke kërkuar sanksione më të ashpra. “Ka prova të qarta për tortura, trajtim poshtërues të njerëzve.”