Teksa konflikti i armatosur mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon këta të fundit me anë të presidentit Zelensky kanë deklaruar se kanë rimarrë më shumë se 1,000 km katrorë territor në jug dhe lindje të saj nga pushtuesit javën e fundit. Zelensky tha se zona ishte “çliruar” si pjesë e një kundërofensive që kishte nisur nga 1 shtatori.
Forcat ruse kanë kundërshtuar disa nga përparimet e bëra nga Ukraina, të cilat nëse konfirmohen do të shënonin një fitore të rëndësishme për ta. Kievi ka çliruar dhjetëra vendbanime pranë rajonit verilindor të Kharkiv deri më tani këtë muaj, tha Presidenti Zelensky në fjalimin e tij të enjten.
Në një postim të veçantë në Facebook, ushtria e Ukrainës pretendoi se vetëm në tre ditët e fundit trupat e saj kishin avancuar 50 km. Nëse verifikohet, kjo do të shënonte lëvizjen më të shpejtë të vijës së frontit që nga tërheqja e shpejtë e forcave ruse nga pozicionet përreth kryeqytetit, Kiev, në mars.