Ukraina tha se për herë të parë ka hasur në një dron kamikaz iranian, që është përdorur nga Rusia në fushëbetejë, teksa Kievi po vazhdon largimin e forcave ruse nga qindra qytete në verilindje të vendit.
Gjatë një adresimi në orët e vona të 13 shtatorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka kontroll të plotë mbi 4.000 kilometra katrorë të territorit të rimarrë nga forcat ruse dhe po stabilizon marrjen e kontrollit edhe të 4.000 kilometrave katrorë të tjerë.
Më 14 shtator, ushtria ukrainase publikoi imazhe që duket se i përkasin një droni të Iranit, i njohur me emrin Shahed-136. Trupat ukrainase thanë se këtë dron e kanë hasur afër Kupianskut gjatë ofensivës që Kievi po kryen për të larguar trupat ruse përgjatë rajonit të Harkivit.
Droni Shahed duket se është rrëzuar nga forcat ukrainase dhe sipas imazheve, duket se nuk ka arritur të shpërthejë eksplozivët që bartte. Megjithatë, pala ukrainase ka ofruar pak informacione për këtë dron. Megjithatë, shënimi në dron “M214 Gran-2” nuk korrespondon me pajisjet ushtarake ruse.
Ministria britanike e Mbrojtjes po ashtu mbështeti pretendimin e Ukrainës për dronin, duke shtuar se “Rusia ka shumë gjasa që ka dislokuar dronë iranianë për herë të parë në Ukrainë”.
Në korrik, inteligjenca amerikane paralajmëroi se Irani po planifikonte të dërgonte qindra dronë në Rusi për t’i përdorur në luftën në Ukrainë. Irani fillimisht kishte mohuar akuzat, por kreu i Gardës Revolucionare Islamike së fundmi është mburrur se shteti i tij po armatos fuqitë kryesore botërore.