Nga Artem Chekh “New York Times”

Ivankiv, Ukrainë – Kohët e fundit, një nga kompanitë në batalionin tonë u rikthye nga një mision në Ukrainën lindore. Kur i pamë shokët tanë një muaj më parë, ata ishin të buzëqeshur dhe të gëzuar. Tani as nuk flasin me njëri-tjetrin, nuk i heqin kurrë jelekët anti-plumb dhe nuk buzëqeshin fare.

Sytë e tyre janë bosh dhe të errët si puse pa ujë. Këta luftëtarë kanë humbur 1/3 e personelit të tyre, dhe njëri prej tyre tha se do të ishte më mirë që të vdiste, pasi tani ka frikë të jetojë. Më parë mendoja se kisha parë mjaftueshëm të vdekur në jetën time.

Unë kam shërbyer në vijën e parë të frontit në Donbas për gati një vit, në periudhën 2015-2016, dhe kam qenë dëshmitar i tragjedive të shumta. Por në atë kohë shkalla e humbjeve ishte krejtësisht e ndryshme, të paktën aty ku isha unë. Çdo vdekje regjistrohej me kujdes, kryheshin hetime, ne i dinim emrat e shumicës së ushtarëve të vrarë, dhe portretet e tyre publikoheshin në rrjetet sociale, raporton abcnews.al.

Kjo aktualja është një lloj tjetër lufte, dhe humbjet janë pa asnjë ekzagjerim katastrofike. Ne nuk i dimë më emrat e të gjithë të vdekurve. Pasi ka dhjetëra të tillë çdo ditë. Ukrainasit vajtojnë vazhdimisht ata që kanë humbur jetën. Në sheshet qendrore të qyteteve relativisht të qeta anembanë vendit, ka rreshta arkivolesh të vulosur.

Ato janë realiteti i tmerrshëm i kësaj lufte mizore, të përgjakshme dhe në dukje të pafundme.

Edhe unë kam të njohurit e mi që kanë vdekur. Gjatë konfliktit mësova për vdekjen e miqve dhe të njohurve të ndryshëm, njerëz me të cilët kisha punuar apo që nuk i kisha takuar kurrë personalisht, por me të cilët mbaja miqësi në rrjetet sociale.

Jo të gjithë këta njerëz ishin ushtarë profesionistë, por shumë prej tyre nuk mund të mos rrëmbenin armët kur Rusia pushtoi Ukrainën. Unë lexoj nekrologji çdo ditë në Facebook. Shoh emra të njohur dhe mendoj se këta njerëz duhet të vazhdojnë të shkruajnë raporte dhe libra, të punojnë në institutet shkencore, të mbarështojnë kafshë, të mësojnë studentët, të rrisin fëmijë, të pjekin bukën apo të shesin kondicionerë.

Në vend të kësaj ata shkojnë në front, plagosen, preken nga forma të rënda të stresit post-traumatik (PTSD) dhe vdesin. Një nga goditjet më të mëdha të fundit për mua ishte vdekja e gazetarit Oleksandr Makhov. Ai kishte tashmë një përvojë ushtarake, dhe duke e njohur guximin e Oleksandr, i ndiqja me vëmendje postimet e tij në internet.

Vizitoja shpesh faqen e tij në Facebook, dhe isha i lumtur kur shihja postime të reja: Ato tregonin se ai ishte gjallë. Fokusesha në jetën e tij si të ishte një fener në një det shumë të stuhishëm. Por më pas Oleksandr u vra, dhe gjithçka u shkatërrua. Një nga një i mora lajmet mbi vdekjen e atyre që njihja, raporton abcnews.al.

Ia ndalova vetes të besoja se unë dhe njerëzit që dua ose më pëlqejnë do të arrijmë të mbijetojmë. Është e vështirë të jetosh në këtë gjendje, megjithatë pranimi i mundësisë së vdekjes së dikujt është i nevojshëm për çdo ushtar. Fillova të mendoja për të që në vitin 2014 kur, kur edhe pse nuk mbaja ende një armë në duar, e ndjeva tashmë se një ditë do të isha në gjendje ta përdorja një të tillë.

Dhe kështu ndodhi. Në 10 muajt që kalova në vijën e frontit pranë Popasna në rajonin e Luhanskut, mendoja shpesh për vdekjen. Ndieja hapat e saj dhe frymëmarrjen e qetë pranë meje. Por diçka më tha jo, jo këtë herë. Po tani? Kush e di? Aktualisht po shërbej në kufirin verior, ku patrulloj një pjesë të zonës së përjashtimit të centralit të Çernobilit.

Këtu ndihesh disi më i sigurt se sa në lindje apo jug, edhe pse afërsia me udhëheqësin autokrat bjellorus ka një ndikim psikologjik. Detyra e njësisë sonë është të parandalojë përsëritjen e ngjarjeve të marsit, kur u pushtua pjesa veriore e rajonit të Kievit, dhe kur armiku bombardoi me artileri periferinë e kryeqytetit.

Jam gati të angazhohem në çdo pikë të nxehtë të konfliktit. Nuk kam frikë. Dhe as atë tmerrin e madh siç ndodhte në fillim, kur gruaja dhe djali im fshiheshin në korridorin e apartamentit tonë në Kiev, duke u përpjekur të qetësoheshin disi apo edhe flinin disi mes zhurmës torturuese të alarmeve dhe shpërthimeve ajrore.

Sigurisht që jam shumë i trishtuar: Më shumë se çdo gjë në botë dua të jem me gruan time, e cila është ende në Kiev me djalin tim. Unë dua të jetoj me ta, dhe jo të vdes diku në vijën e parë të frontit. Por mundësinë e vdekjes sime e kam pranuar si një fakt pothuajse të kryer. Kalimi i këtij Rubikoni më ka qetësuar, më ka bërë më të guximshëm, më të fortë, dhe më të ekuilibruar.

Kështu duhet të jetë për ata që me vetëdije ecin në rrugën e luftës. Vdekja e të civilëve, sidomos e fëmijëve, është një çështje krejtësisht tjetër. Me këtë nuk dua të them se jeta e një civili është më e vlefshme se ajo e një ushtaraku. Por është pak më e vështirë të përgatitesh për vdekjen e një ukrainasi të zakonshme që po vazhdonte jetën e tij, dhe që u vra papritur nga bombat ruse.

Është gjithashtu e pamundur të jesh i përgatitur për torturat brutale, varrezat masive, fëmijët e gjymtuar, trupat e të vdekurve të varrosur në oborret e shtëpive dhe sulmet me raketa në zona të banuara, teatro, muze, kopshte dhe spitale.

E si mund të përgatitesh ndaj idesë se nëna e dy fëmijëve që u fsheh në një bodrum për një muaj, u nda nga jeta dalëngadalë para syve të tyre?

Si mund ta pranosh vdekjen e një vajze 6-vjeçare, që vdiq nga dehidratimi nën rrënojat e shtëpisë së saj? Si duhet të reagojmë ndaj faktit që disa njerëz në Ukrainç, si në Mariupolin e pushtuar, detyrohen të hanë pëllumba dhe të pinë ujë nga pellgjet, duke rrezikuar të preken nga nga kolera?

Siç shprehet Kurt Vonnegut, edhe nëse luftërat nuk do të vazhdonin të vinin si akullnajat, do të kishte ende vdekje në stilin e vjetër. Por takimet me vdekjen mund të jenë shumë të ndryshme. Ne duam të besojmë që ne dhe njerëzit tanë të dashur, njerëzit modernë të shekullit XXI-të, nuk duhet të vdesim më nga torturat barbare mesjetare, epidemitë apo ndalimi në kampet e përqendrimit.

Kjo është pjesë e asaj për të cilën po luftojmë: e drejta jo vetëm për një jetë dinjitoze, por edhe për një vdekje dinjitoze. Ne, populli i Ukrainës, i urojmë vetes një vdekje të mirë. Për shembull në shtretërit tanë, dhe kur të vijë koha. Por jo kur një raketë ruse na godet shtëpinë tonë në agimin e ditës.

Shënim:Artem Chekh, është autor i librit “Zero absolute”, një rrëfim mbi kohën e kaluar në vijën e frontit të luftës në Donbas. Aktualisht është një vullnetar që patrullon në zonën e përjashtimit të Çernobilit.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al