Nëntë milionë njerëzve iu është kërkuar të evakuohen nga shtëpitë e tyre pasi Japonia është goditur nga një nga uraganet më të fuqishme që vendi ka parë ndonjëherë.

Super uragani Nanmadol ka shkaktuar dëme të mëdha dhe deri tani raportohet për një viktimë dhe pothuajse 70 të plagosur.

Ai goditi ishullin më jugor të Japonisë, Kyushu, të dielën në mëngjes dhe parashikohet të kalojë mbi ishullin kryesor të Honshu në ditët në vijim.

Dhjetëra mijëra njerëz e kaluan mbrëmjen e së dielës në strehimore emergjente dhe pothuajse 350.000 shtëpi janë pa energji elektrike.

Transporti është ndërprerë dhe bizneset janë mbyllur, teksa vendi po përgatitet për përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu.

Shërbimet e trenave, tragetet dhe qindra fluturime janë anuluar. Shumë dyqane dhe biznese të tjera janë mbyllur dhe thasë me rërë janë vendosur për të mbrojtur disa prona.

Rreth 9 milionë njerëzve janë urdhëruar të evakuohen në rajonet Kyushu, Shikoku dhe Chugoku pas një alarmi të nivelit të katërt.

Nanmadol është kategorizuar si një super uragani nga Qendra e Përbashkët e Paralajmërimit të Tajfunit (JTWC), një term i aplikuar për stuhitë me shpejtësi të qëndrueshme të erës prej 240 km/h (150 mph) ose më shumë. Është e barabartë me një stuhi të kategorisë katër ose pesë.

Kryeministri Fumio Kishida ka shtyrë deri të martën një vizitë në Nju Jork, ku do të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Shkencëtarët kanë parashikuar një sezon shumë aktiv uraganesh këtë vit, të ndikuara nga një fenomen natyror i njohur si La Niña.

Temperaturat e ngrohta të sipërfaqes së detit në Atlantik dhe Karaibe si rezultat i ndryshimeve klimatike mund të kenë gjithashtu një ndikim.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ka thënë se ciklonet intensive tropikale ka të ngjarë të rriten në shkallë globale.