Jam i lumtur që shoh angazhimin tuaj të vazhdueshëm për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik rajonal, deklaroi sot komisioneri i BE-së Oliver Varhelyi në hapjen zyrtare të Samitit “Ballkani i hapur”, në Beograd.

“Unë e kam mbështetur nismën e “Ballkanit të hapur” që në fillim, pasi bashkëpunimi rajonal është spiranca e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për rajonin dhe më gjerë. Kjo është shumë e nevojshme sidomos në kohë krize”, tha Varhelyi.

“Përmes Planit Ekonomik dhe Investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ne po i ofrojmë rajonit një paketë investimi prej 29 miliardë eurosh. Kjo ka potencialin për të transformuar rajonin dhe për të rritur ekonominë e tij në një nivel prosperiteti të paparë më pare”, tha ai.

“Por, një treg i përbashkët rajonal funksional është gjithashtu kryesore që të rrisim përfitimet e mbështetjes së BE-së për ekonomitë tuaja dhe për të realizuar potencialin e plotë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve”, shtoi ai.

“Ju keni punuar shumë mes të gjashtë partnerëve dhe e kuptoj që dëshironi të ecni përpara edhe në një rreth më të vogël në funksion të operatorëve tuaj ekonomikë dhe qytetarëve tuaj”, nënvizoi Varhelyi.

“Marrëveshja e arritur javën e kaluar për lëvizjen e lirë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës jep një shenjë shprese se “Ballkani i hapur” së shpejti mund të zbatohet në të gjithë rajonin”, tha ai.

“Më lejoni të kujtoj disa parime që do të siguronin suksesin e nismës së “Ballkanit të hapur”. Së pari, ai duhet të jetë një hap në rrugën drejt integrimit evropian, siç synohet të jetë “Tregu i Përbashkët Rajonal”. Së dyti, ajo duhet të mbetet e hapur për të gjithë, në përputhje me standardet evropiane dhe në përputhje me detyrimet tuaja rajonale dhe ndërkombëtare”, theksoi ai.

“Së treti, standardet e BE-së duhet të jenë në qendër të nismës. Marrëveshjet e hapura ballkanike që plotësojnë standardet e BE-së po e çojnë rajonin përpara në rrugën drejt BE-së. Prandaj, jam i gatshëm t’iu ndihmoj që veprimet e ndërmarra në këtë kuadër të jenë në rrugën e duhur dhe t’iu sjellin edhe më shpejt në BE”, përfundoi Varhelyi.