Mbreti i ri i Britanisë së Madhe Çarls III dhe bashkëshortja e tij Kamila kanë lënë Kështjellën Balmoral dhe janë nisur drejt Londrës, ku monarku i ri pritet që t’i drejtohet kombit me një fjalim. Mbreti Çarls III do t’i drejtohet kombit me një deklaratë televizive në orën 18:00, ndërsa Parlamenti pritet të kryejë homazhe sot dhe nesër para se të shtyhen punimet për dhjetë ditë.
Homazhet për Elizabeth II, e cila vdiq dje në moshën 96-vjeçare pas 70 vitesh në fron, do të drejtohen sot në Dhomën e Komunëve nga Liz Truss, ndërsa vendi hyn në një periudhë të zgjatur zie kombëtare, për 17 ditët e ardhshme. Mbreti i ri është fotografuar teksa linte kështjellën këtë mëngjes në një “Audi” ngjyrë gri dhe ndiqej nga ekipi i sigurisë me një Land Rover, për t’iu drejtuar aeroportit të Aberdeen. Ndërkohë, sipas protokollit përshëndetjet e armëve dhe kambanat e kishave do të tingëllojnë në të gjithë vendin sot ndërsa turmat mblidhen përsëri jashtë Pallatit Bakingham, ku flamuri “Union Jack” u ul në gjysmështizë mbrëmë.