Një ndeshje kriketi mes stafit të Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës Britanike shënoi dje nisjen e “Javës Britanike”. Në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe sportin britanik, që do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës në 6 shtator.
I shoqëruar nga ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith dhe kampioni i botës në boks Florian Marku, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se sporti ka fuqinë e bashkimit mes popujve. Ai tha se Britania e Madhe ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë në momentet tona më të rëndësishme. “Anglia promovon në mënyrë të jashtëzakonshme shumë sporte, jo vetëm futbollin apo boksin, kriketin, sepse sporti bashkon njerëzit. Me sport është mënyra e mirë sesi e nisim këtë javë të bashkimit, të bashkëpunimit, të vëllazërisë që kemi me Britaninë e Madhe, një vend që ka qenë gjithmonë aleati ynë, ka qenë gjithmonë një fans i yni, ka qenë aty në ditët tona të vështira, qofshin këto ditët e vështira të Luftës së Dytë Botërore, qofshin këto ditët e vështira gjatë eksodit të Luftës në Kosovë”, u shpreh Veliaj.
Ndërkaq, në sheshin “Skënderbej” ka nisur puna për ngritjen e skenës gjigante për koncertin e Rita Orës. Koncerti do të mbahet në mbrëmjen e 6 shtatorit dhe hyrja do të jetë falas për të gjithë. “Skena mbrapa po përgatitet për një tjetër sukses shqiptaro-britanik: Rita Ora. Ndërkohë, sapo mbyllëm një fundjavë fantastike me “Sunny Hill Festival”, me Dukagjinin dhe familjen Lipa”, shtoi më tej Veliaj.
Ambasadori Britanik deklaroi se “Java Britanike” do të vijë me një sërë aktivitetesh të ndryshme, të cilat nisin në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. “Është një kënaqësi që të jem në qendër të Tiranës , në qendër të Shqipërisë, në sheshin “Skëndebej”, për të lançuar “Javën Britanike 2022” dhe kjo do të jetë java kulturore ku ne do të festojmë të gjithë aspektet e kulturë mes Britanisë dhe Shqipërisë”, nënvizoi ambasadori Alastair King-Smith.