Sulmuesi i Milanit, Rafael Leao, me dygolëshin e tij në derbin e fituar 3-2 ndaj Interit, ka shkruar historinë e kësaj ndeshjeje të madhe të futbollit italian dhe jo vetëm.

23-vjeçari, i cili u shpall lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në Serinë A, është bërë futbollisti i parë portugez që shënon në derbin e Milanos.

Leao barazoi rezultatin në 1-1 me një goditje perfekte me të majtën, ndërsa në pjesën e dytë shënoi golin e tretë duke lënë pas të gjithë mbrojtjen e Interit, me një aksion personal fantastik.
Pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Stefano Pioli, e vlerësoi kështu talentin e sulmit kuqezi:

“Leao ka talent dhe është shumë i zgjuar. Të rinjve u duhet dhënë kohë për t’u rritur dhe liri për të gabuar. Ne përpiqemi që ta vendosim në kushtet e duhura. E kemi armë, por nuk është arma jonë e vetme.

Rafa ka një sjellje që duket si indiferente, por është djalë që të dëgjon. Nuk duhet të kënaqet me kaq sepse me talentin që ka mund të ngjitet shumë lart”.