Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i japë kohë të mjaftueshme serbëve të veriut që t’i ndërrojnë targat, raporton Reuters.
“Është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe ekzekutohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.
“Konkluzionet e vitit 2016 përfshinin afate kohore shumë më të gjata për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime për procesin në fjalë tani”.
Zëdhënësi tha se BE-ja u kërkoi “të dyja palëve të përdorin dialogun e lehtësuar nga BE si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis tyre, duke përfshirë edhe targat.Por, në Mitrovicë të Veriut sërish janë shfaqur afishe kundër riregjistrimit të makinave në targat RKS- Republika e Kosovës.

Në xhamin e përparmë të disa makinave janë parë afishe me mbishkrime “Nuk ka dorëzim, KM-ja mbet”, duke iu referuar targës KM (Mitrovicë e Kosovës) e cila lëshohet nga autoritetet e Serbisë dhe konsiderohet e paligjshme nga Kosova.
Po ashtu, simboli i Kosovës në disa targa të veturave është mbuluar me letra ngjitëse ku shkruan KM.Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka njoftuar serbët e Kosovës se kanë afat prej 61 ditësh që t’i konvertojnë targat e tyre në RKS.Kurti u është drejtuar atyre përmes një video në gjuhën serbe, duke u thënë se “targat janë trashëgimi i regjimit të Millosheviçit”.“Kjo trashëgimi është një barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”.“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovë. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2 për qind të tyre”, tha Kurti.Ai ritheksoi se qytetarët që i ndërrojnë targat, lirohen nga taksa e detyrime tjera që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.