Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte sot në një intervistë me gazetarin Thimi Samarxhiu për emisionin “Zona Zero” në Top News ku foli për vizitën e bërë në Hagë tek burgu i Tribunales ku presin verdiktin 4 ish-krerët e UÇK-së. Ai tregoi për gjendjen psikologjike të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit e më tej foli edhe për ish-Presidentët shqiptarë që morën pjesë në vizitë.

Vizita në Hagë

Ishte një vizitë emocionuese,çdokush që sot e shijon lirinë e Kosovës duhet të mendojë edhe për këta djem që janë atje e po paguajnë një çmim. Çmimi është i lartë, por besoj se drejtësia do bëjë të vetën dhe këta djem të lirohen e të kthehen.
Si i gjetët Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin psikologjikisht? Me shëndet ishin mirë, mbaheshin. Nuk pretendohet të jenë dhe emocionalisht mirë, se jeta e mbyllur është e vështirë. Kanë shpresë se drejtësia do bëjë të vetën.

Iu bashkuan Pandeli Majko, Bamir Topi, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani. Nga këta kush e ndjeu më shumë? Besoj se secili në mënyrën e vet e ka përjetuar këtë vizitë. Të gjithë ishin të lumtur që morën pjesë në vizitë e kryen një detyrim moral. Më impresionoi Presidenti Moisiu, për shkak të moshës, por me shumë dashuri ndihmoi në organizimin e kësaj vizite. Erdhi i pari në aeroport për t’u nisur dhe u interesua për të gjitha detajet. I pari ishte ai që zbriti i veshur si duhet te recepsioni. Ai kishte dhe një protezë mekanike në gju dhe qante hallin se si do kalonte te kontrolli. Por dhe gardianët që na përcollën e dinin që bëhej fjalë për një zotëri të vërtetë. Megjithatë nuk i heq rëndësi edhe personaliteteve të tjerë.