Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ndodhet në Nju-Jork, SHBA, ku merr pjesë në javën e nivelit të lartë të Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama.

Në nisje të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Xhaçka pati një takim me ministrin e Punëve të Jashme të Indisë, dr. Subrahmanyam Jaishankar.

“Shqipëria dhe India veprojnë së bashku si anëtarë jo të përhershëm të KS të OKB-së. Koha për të forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në shumë fusha me interes reciprok”, theksoi Xhaçka.

Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, ministrja Xhaçka do të mbajë disa takime dypalëshe si dhe do të marrë pjesë në disa evente të nivelit të lartë si: Takimi i Komisionit të Partneritetit Karta e Adriatikut – SHBA; Takimi Ministror i Grupit Feminist për Politikë të Jashtme +; Simpoziumi Gratë, Paqja dhe Lidershipi: Arritja e Paqes dhe Sigurisë së Qëndrueshme përmes Lidershipit të Përgjegjshëm ndaj Gjinisë.