FJALA E MINISTRES ELISA SPIROPALI NË KUVEND:
Sapo dëgjuat prologun e revolucionit të Haxhiut dhe Qamilit, ose aleancën anti-perëndimore të Qamilit dhe Haxhiut. Mos kini asnjë dyshim që e njëjta gjë është në thelb, dhe s’ka rëndësi nëse ata vishnin poture dhe vinin thes apo kapele të tjera dhe këta vijnë me kollare dhe me kostum. Në thelb bëjnë të njëjtën gjë, duan të kthejnë orën pas, duan të kthejnë kohën e tyre, kohën që ka vdekur. Nuk më çudit fare që përdoret kjo foltore për të nxitur gjoja revolucionin e shumëpritur nga masat. E thotë ai që mori peng revolucionin e vërtetë demokratik të studentëve, të punëtorëve, të njerëzve të vuajtur, të përndjekurve, të të persekutuarve, të burgosurve! Ai që doli nga xhepi i pardesysë së atij që ishte President, drejt e në tribunën ku përvetësoi revolucionin e një populli të tërë. Dashka të bëka revolucion Haxhiu me Qamilin, që kur ishte President nuk e priste asnjë kre shteti, sepse s’mund ta priste. Një njeri që fliste për bombardime nga SHBA, i cili fliste për bunkerë, për ambasadorë të blerë dhe të shitur sepse nuk mbështesnin këtë.
Të tillë e kanë politikën këta, me të blerë me të shitur, me hajna, me të korruptuar. Kur janë këtu në këtë fopltore, siç bënë atëherë në 2005-ën. Hajnat, terroristët, bandat, këta-ata dhe më pas në qeveri të jap dorën, se s’ke qenë i tillë se ashtu më duhej mua për politikë. Ja kjo është politika e tyre. nuk ka asnjë lidhje, as për dëshirën për progres, as për punën, as me këto raportet të zonjave Çupi dhe Denaj, as komisionet që ne ngremë këtu, nuk duan t’ia dinë fare ata se nuk ëështë punë e tyre të lexojnë këto e të flasin për këto, e të flasin për qytetarët, bashkitë dhe njësitë vendore.
Ata kanë vetëm një njësi në mendje, veten. Dy metra katrorë nën këmbët e tyre. Kjo është njësia e vetqeverisjes vendore, kjo është bashkia e tyre, kjo është qeveria e tyre, ai është pushteti i tyre. Metrat katrorë nën këmbë, se ku do i çojnë, do i marrin me vete apo jo, këtë nuk e dimë. Por dimë që askush askush nuk ka marrë me vete gjë përveç nderit apo turpit. E turpi është i tyre. Del këtu dhe flet për hajna, kujt i thotë hajnë ai, që është shpallur hajnë ndërkombëtar, dhe jo më pas se sa aleati ynë strategjik. Kujt i thotë bandë ai që edhe për pak tani po del parti e padëshiruar në SHBA, BE dhe kudo tjetër ku ka njerëz dhe deputetë, funksionarë e mbështetës që e duan Shqipërinë. Ndoshta edhe më shumë se këta që dalin dhe bërtasin këtu.
Çfarë revolucioni do bëjë në 12 nëntor ky? Në emër të kujt do e bëjë revolucionin dhe në emër të kujt do e përmbysi qeverinë e zgjedhur me votë. Po këta nuk dinë gjë tjetër, ose të përmbysin me dhunë, ose duan të marrin pushtet në tavolinë. Si do e marrin pushtetin këto në tavolinë në bashki? Me këto 33 bashkitë e reja që kanë propozuar? Me këto do e marrin pushtetin, që janë ulur përpara hartës dhe kanë thënë “po cilat nga këto zona elektorale na japin pak më shumë vota ne”? I kanë ndarë ato 33 bashki dhe s’ka rëndësi a janë bashki urbane, a janë bashki rurale, a kanë qenë ndonjëherë qendra administrative, a kanë menaxhuar ndonjëherë. Grumbuj fshatrash që mund të na votojnë ne dhe oburra t’i propozojmë për bashki. Duke mos respektuar as këto grumbujt e fshatrave sepse duan t’i përdorin dhe ato si mish për top. Dushku, Shupenca, Bicaj etj. Zona që këta i konsiderojnë bastione elektorale. Janë disa zona që këta i konsiderojnë si bastione elektorale. Mendojnë se bastionet do funksionojnë edhe në vitin 2023-shin, ta harrojnë. Jo me këtë reformë, por shpikni çdo lloj hileje tjetër elektorale dhe votën që nuk ua japin ata me zemër nuk e merrni dot me këto. Nuk e merrni dot në tavolinë.
Nuk keni krijuar besueshmërinë. Jo se nuk dini të bëni raporte, raportet i bëni të bukura ju. Por kur shkoni aty tek njerëzit, çfarë do i thoni? Që do kthehet Sali Berisha me Ilir Metën t’ju qeverisin? Që këta janë e ardhmja e Shqipërisë? Që këta janë të rinjtë që do bëjnë ndryshimin? Këta janë të paprovuarit? Këta janë ata që s’i kemi parë ndonjëherë? Këtyre që s’ua dimë bëmat? Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk ua di bëmat këtyre. Të gjithë ua dinë, dhe unë nuk e kuptoj se si vazhdojnë të vendosin maskë në fytyrë. Është e vërtetë ajo shprehja që “jepi një njeriu një maskë dhe ai do të thotë të vërtetën”. Maskë pas maske do ishin grisur dhe maskat.
31 vjet nuk ka maskë që i rri më, nuk ka maskë më që ua rregullon atyre fytyrën e vërtetë. Në diskutimet që kemi bërë për reformën territoriale në 2014-ën, 2015-ën, ishin po këto çështje që po kthehemi të diskutojmë sot. Fragmentarizimi i lartë i vendit, 373 bashki dhe komuna në atë kohë, ku 20% e popullsisë jetonte në 232 njësi, nuk i shtonte as investimet, nuk e rriste as përfaqësimin siç tregojnë shifrat. Mungesa e konsiderueshme e të ardhurave, burimeve njerëzore, i izolonte dhe i ndante zonat duke rritur hendekun zhvillimor midis fshatit dhe qytetit, midis qendrës dhe periferisë, midis një bashkie dhe një tjetre. Cilësia e dobët dhe mungesa e shërbimeve publike.
Kapacitetet e kufizuara, pamundësia për t’u mbështetur dhe për të bërë plane zhvillimore. Këto ishin disa nga argumentet dhe ju i sillni sot sërish si argumente të reja, me gjithë respektin për anëtarët e Komisionit të Posaçëm dhe për zonjën Çupi që ka qenë e palodhur, sëbashku me zonjën Denaj në komision. Nuk kam vërejtje për këtë. Ekonomia e shkallës ka rezultuar se prevalon mbi copëzimin dhe copëtimin. Ju doni t’i sjhtoni këto bashki, kur në fakt bashkitë e mëdhaja janë ato që kanë prodhuar më shumë të ardhura dhe kanë më shumë investime. Merrini me rradhë bashkitë e mëdhaja, dyfish të ardhura. Bashkitë e vogla shpenzojnë më shumë për personel.
Përmendni këtu bashkitë e falimentuara. Bashki të falimentuara nuk ka sipas ligjit. A ka bashki në vështirësi, po, ka. Cilat janë? Bashkitë e vogla që nuk kanë të ardhura. Ja ku bie poshtë argumenti. Argumenti dy, përfaqësimi. Pse kur kishim 373 bashki dhe komuna me në krye lloj-lloj kryetarësh, jo të gjithë dinin ç’bënin dhe jo të gjithë i kishin mundësitë të bënin ato që donin të bënin. Por 19% e popullsisë jetonte në 276 bashki dhe as nuk zgjidheshin dhe as nuk përfaqësoheshin. Ja ku e kemi, pse qenka sot problem përfaqësimi kur ne kemi përfaqësues të njësive në këshillat bashkiak.
Kjo është çështja mbi të gjitha e cilësisë së punës që duhet të bëjnë partitë për të rritur përfaqësimin në këshillat bashkiakë. Nuk është kjo çështje e Komisionit të Posaçëm të Reformës apo e ndryshimeve dhe reformës territoriale.
Për shërbimet. Trefish më shumë shërbime përfitojnë sot zonat e ashtuquajtura zona rurale. Reforma e ujësjellës-kanalizimeve po sjell frytet e saj, janë sot 15 ndërmarrje nga 61. Investimet vazhdojnë dhe ka më pak humbje të të gjitha llojeve në rrjet, më pak korrupsion dhe më shumë investime. Për këto argumente duhet të flasim sot. Nuk duhet të dëgjojmë Kuçedrën e ujit dhe del këtu e merr peng mikrofonin për interesa të tij. Me reformat s’ka pasur lidhje dhe më 12 nëntor, të jeni të sigurt që ashtu siç është braktisur deri më tani, do të braktiset edhe më tej tani që aleanca e tij nuk është vetëm me Qamilin, por ka shtuar dhe Haxhiun.