Policia e Lushnjës ka sekuestruar një apartament me vlerë 270 000 euro, i cili është në pronësi të një shtetasi 32-vjeçar të dënuar nga gjykata për trafik droge. Sipas veprimeve hetimore rezulton se prona është vendosur në bazë të pasurisë së ardhur nga aktiviteti kriminal i 32-vjeçarit. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e pasurive të tjera të lidhura me këtë shtetas apo persona të tjerë që kanë lidhje familjare me të.

“Nga specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, i datës 03.10.2022, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurisë së shtetasit M. K., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Nga veprimet hetimore rezulton se pasuria e 32-vjeçarit ka si burim veprimtari kriminale. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i një pasurie të paluajtshme (apartament në Tiranë), me vlerë 270 000 euro. Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të lidhur me të”, thuhet në njoftimin e policisë.