Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në konferencën jubilare për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryeministri u shpreh se: “ Për çdo njeri që merret me shkencë, termi ‘Akademi’ ka një domethënie të madhe. Për ne Akademia ka qenë ëndërr. Ajo materializonte dëshirën e rilindësve për më tepër dituri dhe institucionet studimore të së ardhmes, këto janë fjalët e njërit prej themeluesve të Akademisë, profesorit të nderuar Aleks Budës. Si një institucion i ngritur mbi vlerat e krijuara nga Akademia e re e Voskopojës, programet e rilindësve dhe idetë e Nolit, Lumo Skëndos e Ndre Mjedjes për zhvillimin e mendimit kritik dhe shkencor, Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë, qëndronte sidoqoftë si mënjanë nga ndikimi politiko-shoqëror i vendit. Një nga episodet që doja të doja të kujtoja prej jush është fjalimi i Budës mbajtur një fjalim lamtumire në varrimin e gjuhëtarit Selman Riza.

Shteti komunist e kishte dëbuar gjuhëtarin e shquar nga Instituti i Histori-Gjuhësisë dhe e kishte lënë në harresë në një muze në Berat deri në shuarjen e tij nga jeta. Thuhet se ky akt i Budës bëri bujë në Institut dhe shoqërinë e asaj kohe, po qëndrimi i profesor Budës ishte një shprehje e mënjanësisë së Akademisë për nderimin e dijes, së rrugës së shkencës, për një punë kolosale si ajo e Rizës, kushtuar vendit, kombit dhe shqiptarëve.

Kur vizitova akademinë pas viteve ’90 dhe dëgjoja ato kërcëllitjet e parketit të vjetër më dukej sikur ishte Eqerem Çabej që rrotullohej në varr nga gjendja e dëshpëruar e atij institucioni. Një institucion që mbrojti interesin e gjuhës shqipe, nëse sot kemi një gjuhë të unifikuar i detyrohet në radhë të parë atyre akademie që sot është në proces përpjekje për tu kthyer në atë lartësi që i takon. Nëse nuk do kishte ekzistuar Çabej, Buda dhe të tjerë figura të shquara do të ishim të çarmatosur në diskutimet mes vendeve për prejardhjen e tyre. Çfarë historie do të ishim në gjendje të shkruanim ne sot, nëse sot nuk do të ishin për fat të mirë nxënësit e atyre kolosëve të mëdhenj, do të ishim asgjë. Sigurisht që detyra e këtij institucioni nuk është vetëm mbajtja në funksion të së shkuarës. Sot jemi në kushtet kur mund të themi se falë reformës së vitit 2019 është arritur përparim, e cila ishte nën udhëheqjen e vetë Akademisë së Shkencave.
Para pak ditësh u mbajt kongresi i dytë i Nanoteknologjisë diçka e paimagjinueshme para reformës. Sot jemi në kushtet kur kemi ngritur një qendër për botimin e tre veprave madhore për gjuhën dhe kulturën: Enciklopedia shqiptare, Historia e shqiptarëve dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe.”

Në mbyllje Rama tha se: “Sot ne jemi shumë larg nga ajo që duhet të ishim, nëse do të kishte vijuar zhvillimi i Akademisë së Shkencave.
Sot jemi në kushtet kur mund të shtyjmë shkencën dhe arsimin e lartë shqiptar, të mos presim integrimin e plotë në Europë. Kemi nevojë të shtyjmë më lartë dhe kemi nevojë të japim shembull. Ky shembull është tani i afërt, ku deri dje pedagogët e përfshirë në fondet europiane ishin 50, sot ka kaluar mbi 400, kjo jep shembullin se ne jemi pjesë dhe tregon se ne dimë dhe çështja është që këtë ta kthejmë në dije për shoqërinë.”