Luixhi di Biaxho ka qenë disa herë në Shqipëri dhe ka kontakte të drejtpërdrejta me Armand Dukën.

Dikur si një ish-lojtar i shquar i futbollit italian dhe më pas si një vizitor VIP.

Ishte mes lojtarëve të Italisë për ndeshjen e bamirësisë pas tërmetit të luajtur më 10 janar të vitit 2020.

Ishte sërish në Tiranë për finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejnordit.

Dukej madje shumë i familjarizuar me realitetin shqiptar dhe nuk ngurronte në asnjë moment të bënte foto me tifozët që ia kërkonin një gjë të tillë.

Mirëpo tani situata ka ndryshuar. Di Biaxho dëshiron të bëhet drejtor i ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe zyrtarë të FSHFsë thonë që ka pasur kontakte ditët e fundit.

Dhe ja, pikërisht këtu situata nis të bëhet interesante. Po, sepse FSHF-ja dje në mënyrë krejt të befasishme doli me një deklaratë surprizë, duke mohuar zërat për negociata me Di Biaxhon si… trajner.

REAGIMI

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë dhe sqarojë të gjithë opinionin publik e mediat se zërat që kanë qarkulluar orët e fundit në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Luigi di Biaggion për drejtimin e Shqipërisë janë totalisht të pavërteta dhe një spekulim i pabazë.

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka në drejtimin e saj trajnerin Edoardo Reja, i cili është ende nën kontratë e vazhdon punën e tij. Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se fokusi ynë është te shorti i Kampionatit Europian 2024, i cili do të hidhet në datë 9 tetor në Frankfurt”, thuhet në njoftimin e FSHF-së…

Injorimi i shqiptarëve

Nuk ka asgjë të keqe që një si Di Biaxho të bëhet drejtor teknik, (edhe pse ende është vetëm kandidat), por puna është se kur do t’u vijë radha shqiptarëve?

E kemi fjalën për ish-lojtarë të Kombëtares shqiptare që njohin realitetin, kanë luajtur në nivele të larta në Europë dhe kanë edhe se çfarë mesazhesh t’u përcjellin lojtarëve aktualë.

Duket një situatë e pashpresë për Bashën, Skelën, Kukelin, Beqajn, Bogdanin, Myrtajn, Haxhin, Mavrajn, e shumë e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë me fanellën kuqezi.

Preferohen vetëm të huaj. Ndoshta sepse ata dinë pak, flasin akoma më pak dhe nuk kundërshtojnë kurrë.