Carlo Ancelotti u shfaq në sallën e shtypit të Valdebebas në një atmosferë të relaksuar, me fokus vetëm te dueli ndaj Osasuna, pa menduar për maratonën e ndeshjeve që po i afrohet këtë tetor. Të bardhët, si të gjitha skuadrat e përfshira në garat evropiane, do të luajnë 9 ndeshje në 27 ditë. Një muaj kyç për të vazhduar “mbushjen e hambarit” derisa të arrijë pushimi për Kupën e Botës.
“Los Blancos” kanë 9 fitore radhazi deri më tani, këtë sezon, dhe janë dy pikë larg fillimit të tyre më të mirë në 120 vite histori. Real Madridi i Ancelottit është i pandalshëm, as “virusi i FIFA-s” nuk ka bërë shumë dëme. Vetëm Modric ka mbërritur me probleme fizike nga kombëtaret, ndërsa pushimi ka mjaftuar për rikuperimin e Karim Benzema.
Muaji tetor – “Është një moment i rëndësishëm, me shumë ndeshje në një kohë të shkurtër. La Liga, Champions… Duhet të mendojmë për rotacionin, sepse luajmë çdo tri ditë. Të gjithë duhet të japin më të mirën e tyre”.
Sfida e garave – “Ne jemi të bindur se ky është një moment i rëndësishëm i sezonit. Sfida është të bëjmë mirë në çdo ndeshje. Nëse mund të vazhdojmë kështu në La Liga dhe të sigurojmë 1/16 e Ligës së Kampionëve, aq më mirë”.
Benzema – “Karim po bën shumë mirë, do ta fillojë titullar nesër. Ai ka qenë me ekipin gjatë gjithë javës. Gjendja e tij fizike është e mirë”.
Grupi i ndeshjeve të kombëtareve në një muaj e gjysmë – “Problemi i futbollit është kalendari. Institucionet duhet të punojnë së bashku për ta rregulluar atë”.
Modric – “Nuk ka shqetësim shumë serioz, e presim të mërkurën. Nëse jo, do të kthehet në fund të javës së ardhshme”.
Valverde dhe krahasimi me Gerrard – “Jam dakord, është mirë që Federico krahasohet me të. Valverde ka gjithçka për të arritur nivelin e Gerrard dhe akoma më shumë”.
Real Madridi ishte mirë pa Benzema – “Ai nuk ka shënuar gola, sepse nuk ka luajtur. Karim është njësoj si gjithmonë. Do të shohim pas kësaj periudhe që ai nuk ka luajtur… Le të kthehemi të flasim për Karimin e zakonshëm, i cili është spektakolar”.
“El Clasico” – “E kemi ende shumë larg. Ne përgatitemi mirë për ndeshjen e nesërme, lojtarët janë mirë. Ne mendojmë vetëm për këtë. Nuk ka kohë të mendojmë për ndeshjet që kemi mbas 15 ditësh”.