Nga Spartak Braho/
Dalëngadalë po mbushet një vit që nga koha kur Sali Berisha me një inkursion politik mitingjesh të vetëquajtur “Foltore” mori përsipër të organizojë dhe të drejtojë këtej e tutje vetë Partinë Demokratike.
Disa mitingje, mbledhje apo Kongrese, të drejtuara prej tij nga një strukturë që nuk ishte dëgjuar deri atëherë, të quajtur Komisioni i Rithemelimit, ai spostoi dhe shkarkoi kryetarin e deriatëhershëm të saj, Lulzim Bashën. Ishin të gjitha këto një mënyrë veprimi, vërtetim që ngjason me një “grusht shteti politik”, por i zakonshëm, për huqet dhe aftësitë e Berishës si mjeshtër i komploteve.
E quajti Rithemelim të strukturave të elektoratit të djathtë, të shumtit e të cilëve nuk u mor vesh, ishin anëtarë të Partisë Demokratike apo simpatizantë. Një fasadë zgjedhore e dhjetorit dhe e janarit, të quajtura Kongrese, e zgjodhën Sali Berishën kryetar të Partisë Demokratike, por tw pakonfirmuar e tw njohur nga Gjykata, si Parti legale që gëzonte dhe atributet e PD-së së deriatëhershme. Në këto kushte nuk dihet se kush është e vërteta dhe zyrtarja midis këtyre dy partive.
Tani ky është problemi, që për shumëkënd është i kuptueshëm, por jo për ata që drejtojnë këto dy parti. Secili qëndron në të vetën duke trashur zërin se partia legale jam unë!!! Për tw mos e zgjatur më me këtë çorbë shpjegimesh, është Lulzimi apo Saliu kryetari i PD-së, po i bie shkurt. Thelbi i kësaj çështjeje lidhet se kush e ka legjitimitetin që parashikon ligji “Për krijimin e Partive Politike”. Referuar këtij Ligji, edhe pse PD-ja gjatë 30 vjetëve të historisë së saj, disa herë është ndarë në copëza dhe disa herë janë bashkuar më pas fraksionet politike të saj. Pjesa legjitime e saj mbeti ajo e njohur në dhjetor të 1991 me kryetar Sali Berishën.
Në vitin 2013, ai pranoi dorëheqjen, u largua nga të gjitha funksionet dhe atë të kryetarit me “zotimin solemn”, se nuk do të kthehet më në drejtim duke ia dhënë drejtimin e partisë së tij, Lulzim Bashës. Në këtë sens, problemi nuk është thjesht politik, por ligjor. Pa zgjidhur këtë ngërç, pra, legjitimitetin, të dyja palët, pasi bënë një seancë grushtesh në ambientet e Shqupit dhunë, tentativë për të eliminuar fizikisht njëri-tjetrin e forcë për të marrë godinën dhe ambientet, iu drejtuan Gjykatës, e cila ende nuk është shprehur përfundimisht.
Do të jetë vendimi i Gjykatës, që do të ndajë “shapin nga sheqeri”, ashtu sikundër është e vërtetë që ky vendim vazhdon të jetë i vonuar jo vetëm për shkak të procedurave, por edhe disa ngjarjeve e ndryshimeve politike që kanë rrjedhur, ku më kryesorja është se ish-drejtuesi i PD-së, Sali Berisha, është nominuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person NON GRATA. Ky qëndrim e komplikoi zgjidhjen dhe ka stepur Gjykatën “hë per hë”, për të ndarë sherrin e dy “motrave” aspak miqësore me njëra-tjetrën. Logjika dhe gjasat janë që Gjykata të mos e njohë si legjitime Partinë e Berishës, paçka se ajo mund të ketë numrin më të lartë të anëtarësisë, po numrin më të vogël të deputetëve të Grupit Parlamentar.
Kurse “karrigia” për këto dy parti është vetëm një, në të cilën do të hipë ajo që do të caktojë vendimi i Gjykatës. Ç’do të bëhet me Partinë tjetër për të marrë pjesë legalisht në jetën politike? Asaj i duhen të formatojë kërkesa dhe simbole të reja dhe për t’i miratuar e legalizuar dhe për këto duhet të shkojë në Gjykatë për të marrë një emër të ri. Pamundësinë e zgjedhjes dhe legalizimin e Partisë së Berishës e dikton edhe fakti se Kuvendi ka përgatitur për shqyrtim dhe miratim amendamente shtesë në ligjin e “Dekriminalizimit”. Me sa kemi parë, Berisha e ndonjë tjetër do të përjashtohen nga të qenit drejtues politikë e deputetë për shkak të prejardhjes së tyre e funksionet që ka mbajtur para viteve ‘90. Kjo është arsyeja e sherrit të brendshëm, por edhe mënyra ligjore e zgjidhjes për dy “shemrat”, të quajtura akoma PD.
Çfarë parashikon Eduart Zaloshnja, sondazhisti i talentuar shqiptar?
Vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të organeve të pushtetit vendor, ku të gjitha partitë kanë nisur secila sipas mënyrës së tyre fushatën elektorale me objektivin kryesor për zgjedhjen e kandidatëve. Është ky një proces i ndërlikuar sepse nga njëra anë maxhoranca si Parti e vetme në fushatë do të ketë probleme për shkak të konsumimit që kanë pësuar të zgjedhurit e saj kryesorë.
Ndërsa opozita, nga ana tjetër, duke qenë e përçarë në tri pole, dy PD, Partia e Lirisë dhe grupi i partive të tjera të djathta, do të jetë problematike. Si do të zgjidhen kandidatët, kush do t’i propozojë, me cilën sigël do të paraqiten në fushatë? Ka zëra që thuhet se Partia e Saliut dhe Flamurit këtë handikap do ta zgjidhin me ndihmën e simboleve të partisë së Ilir Metës, i cili është me pikëpyetje nëse do ta hajë “sapunin për djathë” kur partia e tij nuk do të ketë listë për kandidatë. Ky formatim i listës së kandidatëve, ndonëse është i mundshëm ligjërisht, nuk është i dobishëm për partitë e tjera.
Ditët e fundit po synohet të krijohet një grupim politik me përbërjen e të gjithë grupimeve opozitare nën një sigël zgjedhore. Por edhe kjo mënyrë zgjidh vetëm anën procedurale. Por në kushtet kur brenda këtij grupimi prevalojnë interesa të ndryshme të krerëve të tyre dhe jo i elektoratit, që përfaqësojnë do të jetë i vështirë, sigurimi dhe funksionimi i një shumatoreje elektorale fituese. Këtë e tregojnë dhe e parashikojnë edhe sondazhet e z.Eduart Zaloshnja. Era fryn përsëri për maxhorancën aktuale, ndonëse ajo nuk do të jetë mirëfillti socialiste.
A kanë efekt dhe ndikim thirrjet për protesta të partive opozitare për të rrëzuar Edi Ramën?
Thirrjet e dyshes Berisha-Meta për organizim protestash me disa lloje cilësimesh, si të pandalshme, me dhunë, me mosbindje civile, revolucionare, të pandërprera ashtu siç e kemi parë deri tani, nuk ka ndonjë sinoptikë apo gjasë se do të zgjidhin gjë. Ndonëse kjo shkumë thirrjesh, ngrihet mbi një problematikë dhe të drejta për të protestuar dhe ia vlejnë për të zgjuar opinionin kundër keqqeverisjes së maxhorancës në tërësi dhe drejtimit pa busullë dhe problematike në situatën ekonomike në vend të qeverisë së Ramës.
Është interesante të parashikohet rezultati i këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që vendi ka nevojë për ndryshime rrënjësore. Përballë dyshes Berisha-Meta e kompani, Rama ka mundësi t’i kapërdijë, t’i mposhtë në zgjedhjet e pritshme të vitit të ardhshëm, por jo ashtu siç e pret e mendon drejtuesi i Partisë Socialiste. Gjithsesi, kjo është vetëm prognozë, kKuvendi dhe politika kanë nevojë për novacione në ide dhe veçanërisht në emra. Nuk mund të vazhdohet me Vangjush Dakon në rrethin e Durrësit apo me “zogjtë” që ka përgatitur për fushatë, ashtu sikundërse nuk mund të vazhdohet në Mamurras me vjedhësin e makinës së Benzemasë.
A do të vazhdojë pandëshkueshmëria ndaj Sali Berishës për këto 30 vjet?
Të paktën, Berisha e ka drejtuar vendin herë President e herë Kryeministër për gati 15 vjet, por bilanci i drejtimit të tij, pothuajse është negativ, pasi ai ka rrezikuar qeverisjen e vendit me qindra skandale dhe personalisht ai duhet të përgjigjet jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht. Ai u ka mbijetuar situatave të vështira për shumë faktorë. Për të shpjeguar ato hollësisht dhe specifikisht nuk do të ndalem.
Kryesore për këtë mbijetesë të tij, është mosfunksionimi i shtetit që ka sjellë pandëshkueshmërinë dhe vënien para përgjegjësisë. Etapa e tij e mosfunksionimit të shtetit dhe ligjit që ka zgjatur periudhën e tranzicionit duhet thënë e pranuar se e ka “mbjellë” e kultivuar edhe vetë Partia Socialiste e drejtuesit e saj në vite, por edhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar me motivin “ta ruajmë stabilitetin në rajon dhe në Shqipëri”. Gjatë këtyre viteve, asnjë gjemb nuk i ka hyrë në trup Berishës në një kohë që ai duhej të ishte ndëshkuar jo për faje e padijeni, por për krime. Sot ai duhet të ishte prapa hekurave me kohë.
Paaftësia, mungesa e seriozitetit dhe idealizmit, intrigat, marrëveshjet pa skrupull të tipit një herë drejto ti, një herë unë, korrupsioni, radhët e maxhorances socialiste, kanë shtuar jo vetëm pakënaqësinë te shqiptarët, por dhe pasivitetin dhe gjendjen e rëndë. Nuk duhet të gjykohet vetëm Sali Berisha dhe soji i tij, por edhe drejtuesit demagoge të babëzitur socialistë ndër vite, disa hileqarë që janë konvertuar në rilindës, pa ideale ndershmërie dhe burra pa b……dhe jo shtetarë të vërtetë.
Volume të tera dosjesh e denoncimesh penale kanë vërshuar në zyrat e SPAK-ut. Ka me shumë së 2 vjet, çfarë po bëhet me to?
Hapja e këtyre dosjeve të gjynaheve që deri tani janë vetëm hapje të mëparshme krimesh, si ato të vitit 1997, grushtit të shtetit, shitjes së interesave kombëtare të korrupsionit dhe vjedhjeve të privatizimit, vrasjet e Gërdecit apo të 21 janarit, dosja e kompleksit “Partizani” dhe pastrimi i parave të agjenturës ruse nga PD-ja etj., etj. kanë mbetur këto dosje vetëm si çështje të hapura, por jo të mbyllura të shoqëruara me ndëshkim në emër të ligjit. Thuhet se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po punon, edhe pse ndaj saj mund të bëhen vërejtje për ngathtësi e kërcënime.
Këtë ripërsëriti ditët e fundit dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, me zotimin se “po i mbajmë shënim”. Por kur këto deklarohen në mënyrë të përsëritur, ato humbasin jo vetëm qëllimin e mirë, por thellojnë edhe pafuqishmërinë e tyre dhe të veprimit ndaj atyre që i kryejnë krimet. Ndërkohë, opinioni ka një tjetër mendim, ai thotë se Saliu ia piu lëngun edhe amerikanëve ose “qenka lojë kjo” siç thoshte dikur në një film i madhi Ndrec Luca. Personalisht, si jurist kam dënuar ndërhyrjet e Berishës, Ramës, Metës për deklaratat etj., kundër SPAK-ut me idenë LARG DUART NGA SPAK-u, tani nga zonja Kim morëm vesh se prokurorëve e gjyqtarëve të SPAK-ut po u bëhet përsëri presion, kërcënime dhe joshje nga personazhe me kordele politike në qafë.
Është ky një lajm i keq, por edhe i mirë. Është i keq për “kurajën” që përfaqëson zërin e malavites apo mafies shqiptare kur synon të pengojë punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, synon të sabotojë Reformën në Drejtësi. Por lajmi i mirë është se ka nisur reagimi dhe ata janë trembur. Me sa duket, i ka trembur lëvizjet që po bën SPAK-u dhe vetë Reforma në Drejtësi. Ideja që po dominon në opinionin e gjerë është se SPAK-u po punon i tkurrur, pafuqishmëri dhe janë kthyer në proverbiale dhe angazhimi i tyre në mjaft çështje tërësisht anësore dhe pa peshë. Populli thotë më “mirë pa djep, se sa një djep me shejtanin brenda”. Vazhdojmë të shpresojmë dhe gjithsesi shpresa vdes e fundit.
Cili është peizazhi i qeverisjes së sotme të Edi Ramës?
Peizazhi ekzistues i pasqyrës qeverisëse të kabinetit Rama 3 vazhdon të mbetet i zymtë dhe lë shumë për të dëshiruar e ballafaquar me pritshmëritë e shqiptarëve. Kjo qeverisje ka nevojë ulëritëse për të ndryshuar kahun, aventuresk ku është futur imediatisht dhe të prekë dhe fillojë terapi ekonomike efikase për të ndryshuar jetën e fermerit, mësuesit, pensionistit etj. “Shejtani në djep” që në këtë rast është Sali Berisha, po luan aktin e fundit të marrëzisë së pandëshkueshmërisë së tij. Tani atë e ka braktisur jo vetëm zonja Kim, si ambasadore e Amerikës, por edhe mjaft shtete të tjera të Europës. Madje, as nuk e presin dhe takojnë si person i shpallur non grata.
Ka një duel të fortë mediatik midis tyre, por që po kthehet në një duel pa fund edhe me nuanca hilariteti. Por kur nuk e prisni dhe kur nuk e takoni, dhe e keni bërë hasha si të padëshirueshëm për demokracinë këtij të korruptuar deri në majën e thoit, pse nuk veproni zonja ambasadore, sepse po vihet në lojë reputacioni i vendit tuaj, i fateve të demokracisë shqiptare. A e kuptoni që Ciniku i Zi Berisha po vazhdon të llomotisë në daljet e tij televizive e po tallet e ju qesëndis, ndonëse hidhërisht. Shteti amerikan ka vënë në dispozicion mijëra dollarë e fonde për Reformën në Drejtësi ose më mirë të themi për Rilindjen e Shtetit shqiptar.
Këto shpenzime financiare duhen justifikuar që të jenë të efektshme. Dikush do të përgjigjet për dështimin e reformës në Drejtësi në llogari të fundit. Amerikanët nuk të falin kur është fjala edhe për shpenzimet e tyre financiare. E kam thënë dhe vazhdoj të mendoj se tashmë është kristalizuar opsioni se vetëm drejtësia ku përfshihen organet e Prokurorisë, Gjykata e tjerë do ta shpëtojnë këtë vend. E thënë troç, Znj.ambasadore, kanë filluar t’ju përgojojnë e të mos jua venë veshin këta liderët e politikës së sotme. Ku e gjejnë këtë kurajë që gjoja në emër të sovranitetit, pavarësisë, parimeve demokratike, këta që janë të dhjerë deri në fund, bëjnë rolin e të fortit. Kështu vepron Berisha, kështu luan Meta dhe kështu deklamohet edhe Kryeministri Rama.
Madje, ky i fundit e ka kundërvënien me ju jo vetëm nën zë, por direkt, kur kundërshton edhe institucionet ndërkombëtare financiare për amnistinë kriminale fiskale, për pastrimin e parave, me kultivimin kriminal të kanabisit, që Zot na ruaj që kjo KRTSH-ja të lejojë ndërtimin dhe hapjen e “Shtëpive të Barit”. Po synohet të sigurohen para duke shitur pasaporta që kanë marrë nofkën të “arta” për të huajt e gjithfarëllojshëm. Qindra shqiptarë po marrin arratinë, po zbrazet vendi, veçanërisht fshati, por a do të rikthehen një ditë vallë? Shqipëria në 800-900 mijë banorë në vitin ‘45, në vitin ‘90 po shkonte afro 4 milionë banorë. Tani shifrat janë zvogëluar me dyfish. QUE VADIS?! A e di Kryeministri dhe Grupi Parlamentar i maxhorancës se nuk mund të miratohet kultivimi, prodhimi dhe përdorimi i kanabisit pa ndryshuar KODIN PENAL SHQIPTAR. Duhen jo vetëm studime e prognoza serioze, por edhe hapa ligjorë të domosdoshëm, të cilët janë shumë të vështirë dhe procedurialisht të parealizueshme siç parashikon Kushtetuta. Atëherë pse hidhet në treg? Përse duhet kjo propagandë dhe demagogji?! Vetëm për të thënë që ja ne e thamë dhe e lamë shpirtin, por shqiptarët nuk e duan.
Apo bëhen për fushatën e pritshme elektorale?! Çdo hesap në këtë mes është i dëmshëm dhe kriminal në pasoja.
Paraprakisht duhet të mendosh që para se të kultivosh kanabisin, të nxjerrësh nga burgu ata qindra të rinj e pleq të dënuar dhe kjo kërkon veç ndryshime ligjore penale edhe amnisti. Për problemet e situatës së krimit e kriminalogjisë na duhen jo mendime spontane, por qendra studimore. A mund të vazhdohet pa një Institut të Studimeve dhe të Shkencës dhe Fenomeneve të Kriminologjisë?! Vetëm me një ekspert italian apo me profesor Ervin Karamuço dhe Artan Rexha, nuk mund të ecet, ndonëse janë të një niveli të lartë. Po të paorganizuar në një Institut, zëri i shkencëtarëve të kriminologjisë nuk dëgjohet nga shteti dhe strukturat e tij ligjzbatuese.
Kush e “vrau” Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano? Kjo nuk është më enigma tani.
Dikush tha se Drejtori i Përgjithshëm u shkarkua se dinte dhe fliste mirë anglisht me ambasadën amerikane. Dikush tjetër tha se ka denoncuar në SPAK pa lejen e titullarëve politikë me një listë oficerë policie që jo vetëm marrin rroga nga bandat kriminale, por se edhe dekonspirojnë të dhënat e operacioneve policore dhe hetimore. Dikush tjetër thotë se shefi i Policisë u shkarkua se nuk zbatonte porositë dhe urdhrat për emërime të ministrit.
Ka edhe një variant tjetër, sipas të cilit në fazën e përgatitjes dhe përballimit për protesta nga opozita dhe zgjedhjeve elektorale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk do ta ketë situatën në dorë, ndaj duhet zëvendësuar me një tjetër më të besuar. Mund të ketë edhe opinione të tjera, por mendoj se këto janë kryesoret dhe siç shihet asnjëra nuk të bind se shkarkimi i vërtetë i tij ishte për motive aftësie e profesionale. Shkarkimi i tij ishte politik.
Dikush ka qenë fort i interesuar për ta larguar nga detyra, atë që u cilësua nga strukturat investiguese amerikane si profesionist i rritur dhe aftësuar në shkollën amerikane të Policisë, me besueshmëri të plotë për aftësitë dhe bashkëpunimin e tij për të ndjekur e goditur krimin dhe kriminelët që tashmë janë një dukuri jo vetëm shqiptare, por interkontinentale. Kam bindjen se shkarkimi i këtij kryepolici e organizoi dhe realizoi MAFIA POLITIKE SHQIPTARE, në bashkëpunim me MAFIEN KRIMINALE VENDASE, së bashku edhe me MAFIEN NDERKOMBETARE. Gledis Nano duhej “vrarë” sepse kishte filluar të prekte në sinorë të rrezikshëm. Këtë gjë e dëshmon edhe reagimi mediatik i fortë i Ambasadës Amerikane në mbrojtje të një polici model të ndershëm, të cilin me detyrën dhe profesionin e lidhte vetëm zbatimi i ligjit dhe jo orekset e politikës së ditës.