Ish anëtarja e Komisionit të Rithemelit, Evi Kokalari shpërtheu në akuza për manipulim të procesit zgjedhor për kryetarin e FRPD-së, teksa bëri përgjegjës edhe kreun e kësaj partie, Sali Berisha. Së fundmi pjesë e debatit është bërë edhe drejtori i zyrës së shtypit të PD-së, Alfred Lela, sipas të cilit mbështetësit e Bashës i kanë varur shpresat te amerikanët dhe gjendja fizike e Berishës.
Statusi i Lelës
Fakti që i janë qepur ‘stuhisë në status’ të Evi Kokalarit, si mjalti pas gishtit, dëshmon edhe më qartë tipologjinë socio-politike të mbështetësve të L. Bashës: një grusht burrash e grash, që bëjnë asgjë, por vazhdimisht thonë gjithçka. Dëshmon se nuk punojnë, por presin. Presin që amerikanët të shmangin Berishën. Kur e shohin që nuk u realizohet kjo zjarrmi e xhanit, presin që ai të këpusë qafën nga jeta; kur e shohin në shëndet të mirë e nalt-e-poshtë Shqipërisë, zemërohen dhe presin diçka tjetër. Çfarëdoqoftë.
Punë nuk bëjnë, ide nuk kanë, mbështetjen, ku thërret kijameti. Kështu që presin Godonë e pushtetit, të shfaqet për ta kurorëzuar të tyrin ‘man-in-waiting’ mu në majë të Shqipërisë. Sikur Shqipëria të jetë marrë ndonjëherë pa sakrificë. As Princi Wilhelm Wied, që e shoqëronin të gjithë topat e Europës nuk e mori dot.
Kështuqë, gëzojuni Evit, si adamër të vegjël apple-it të Jobs-it, por e kam një këshillë: bëni ndonjë punë ndërkohë që prisni një deus ex machina për liderin e dhe veten.
Zonja e zotërinj, sa prisni që të papunët t’ju zgjidhin punët: LABOREMUS!