Normalisht është i frikshëm pushteti dhe njerëzit e tij. Në Shqipëri ende vazhdohet të kihet frikë nga opozita, ose më mirë nga një njeri. Për të kuptuar frikën, korrupsionin, miklimin, agresivitetin, pengmbajtjen, shtetshthurjen, servilizmin, presionin, që Sali Berisha ka ushtruar në Shqipëri, mjafton të shohësh se si sillen me të gazetarë, analistë, politikanë edhe sot që Berisha është në opozitë, edhe sot që ka damkën e “non gratës”, edhe sot që është në pikën e tij më të dobët si për shkak të moshës, ashtu dhe për shkak të përjashtimeve ndërkombëtare.
Eshtë lehtësisht e dallueshme përlulja, përmendja gjithnjë me “Zoti Berisha” nga panele të ndryshme, këto panelë që përfolin, përbuzin, përqeshin këdo para tyre: Që nga Presidenti, nga Edi Rama, te vajzat e gratë në politikë, te më të moshuarit apo kushdo që vihet para rrugës së tyre me një mendim ndryshe. Analistë që konsiderojnë “lëtyra” cilindo që ua prek sedrën e nuk e kanë për turp të përdorin fjalorin më të ulët për cilindo e cilëndo, ndërsa kur flasin për Sali Berishën drjetojnë trupin, ngrenë lart kokën, dhe thonë “Zoti Berisha” dhe as guxojnë t’i kujtojnë sarajet në Gjirin e Lalëzit, zyrën luksoze në kullën më të bukur të Tiranës, shtëpinë në lagjen më të pasur të kryeqytetit, firmat për të bërë milionerë djalin e vajzën. Për shumë gazetarë, analistë, politikanë, gjykatës, prokurorë, policë, Berisha “opozitar” është frikshmërisht i paprekshëm. As me frymën e fjalës. Siç janë të paprekshme pasuritë e jashtëzakonshme të tij, ndërsa e dëgjojnë të delirojë dhe e admirojnë për protesta kundër varfërisë.
Prandaj, sa herë një amerikan, që komplekset ndaj diktatorucëve dhe delireve të tyre të madhështisë, i ka hedhur me kohë në oqean, flet hapur dhe qartë për Berishën dhe bëmat e tij që i dinë mirë të gjithë, këto fjalë shndërrohen në paqe, në harmoni dhe muzikë.
U shtofshin sa më shumë, sa më bukur e sa më qartë këto fjalë!