Pasi Sali Berisha i shtriu dorën Enkelejd Alibeajt për bashkëpunim, grupi parlamentar i PD ka mandatuar Gazmend Bardhin që të gjejë çdo mundësi bashkëpunimi me Rithemelimin në mënyrë që opozita të shkojë në zgjedhjet vendore të 2023 me 1 kandidat të përbashkët.
Ky ishte vendimi që u mor sot pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD. Alibeaj dhe grupi i tij duket se i kanë dhënë fund dyzimit dhe do të gjejnë format e duhura për të bashkëpunuar me Sali Berishën. Në deklaratën për mediat thonë se është zgjidhja e vetme për të rrëzuar Edi Ramën.
Nga dita e sotme, Bardhi do të nisë punën për të sjellë bashkimin e demokratëve në zgjedhjet lokale.
“Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj është dhënë deklarata për mediat se kanë rënë dakord që të shkojnë në zgjedhjet 2023 me 1 kandidat të përbashkët. Për këtë, është mandatuar Gazment Bardhi që të negociojë me Berishën.
“Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.
Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.
Me qëllim diskutimin e çdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar cdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.
Grupi Parlamentar i PD shpreh gadishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale”, thuhet në deklaratë.
Teksa Rithemelimi ka njoftuar aleancën me Ilir Metën dhe partitë e vogla si dhe ka inciuar procesin e primareve, ende nuk dihet se si do të gjejnë dakordësi për mënyrën e daljes në zgjedhje me 1 kandidat.
Kujtojmë se Berisha i shtriu dorën edhe për propozimin e reformës territoriale Kreut të Grupit Parlamentar, Alibeaj, pavarësisht se që prej kthimit të tij me Foltoret dhe largimit të Lulzim Bashës, ka hedhur akuza ndaj tij si bashkëpunëtor me qeverinë.