Gjykata e Apelit në Shkodër gjeti fajtorë dhe dënoi me nga tre vjet burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, dhe ish-kryetarin e qarkut Lezhë, Gjok Ndoka, të akuzuar për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit.

Fran-Frrokaj

Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Tonin Sterkaj, me anëtarë Anita Mici dhe Florjan Kalaja bëri me dije se kishte lënë përgjithësisht në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, duke rishikuar vetëm masat e dënimit për të akuzuarit.

Frrokaj dhe Ndoka, që ishin të akuzuarit kryesorë të çështjes, u dënuan me nga 3 vjet burg nga katër vite që kishte dhënë Gjykata e Faktit.

Gjykata po ashtu ndryshoi vendimin për ish-futbollistin Renato Malotaj, i cili u gjet fajtor në Apel dhe u dënua me 6 muaj me kusht.

Disa nga zyrtarët dhe qytetarët të hetuar së bashku me dy zyrtarët e lartë vendorë që prej vitit 2017, përfituan masë dënimi me kusht.

Gjithashtu, Gjykata dënoi Enver Hafizi, ish-nënkryetar i Bashkisë Lezhë, me 20 muaj liri me kusht, Juxhina Mema, ish-punonjëse e Bashkisë Lezhë u dënua me 2 vjet burg, Ardenis Haxhia, jurist pranë Bashkisë Lezhë u dënua 22 muaj me kusht. Ndaj Eduart Lekajt, ish–sekretar pranë ish–Komunës Shëngjin në Lezhë, u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, po ashtu u la në fuqi dënimi për Artan Djalën, ishdrejtues i ZVRPP Lezhë, Ermando Jakajn dhe Bledar Carën, specialist të ZVRPP Lezhë.

Për dy prej përfituesve Frrok Frroku dhe Pjetër Lini, Gjykata njoftoi konvertimin e dënimit me kusht, ndërsa u la në fuqi dënimi për të tjerët përfshi Lek Frrokun, Vasil Gjonin, Zef Gjinin dhe Nikoll Tinajn, përfitues dhe tjetërsues të pronave.

Në fuqi u la vendimi edhe për Luigj Paloka, topograf.

Në vendimin e saj, Gjykata ka vendosur që të konfiskojë pronat e tjetërsuara, duke urdhëruar gjithashtu edhe shkatërrimin e dokumenteve mbi të cilat ishte bërë tjetërsimin i tyre nga prona shtet në pronë private dhe më pas janë regjistruar nën emrat e personave të akuzuar.

“FRROKAJ NUK DO ARRATISET”

Edhe pse vendimi i Apelit është i formës së prerë, ishkryebashkiaku Fran Frrokaj, i cili ishte i vetmi ish-zyrtar i pandehur gjatë dhënies së vendimit, u largua nga salla pa u ndaluar nga Policia.

Avokati Neshat Fana, i cili mbrojti Frrokun në Gjykatë, i tha se ata do të kërkonin pafajësi dhe bënin rekurs në Gjykatën e Lartë.

I pyetur mbi mosndalimin e Frrokut, Fana tha se koha që merrej për procedurën ishte normale dhe se klienti i tij nuk kishte ndërmend të arratisej.

“Ai është një njeri serioz që do të luftojë për pafajësinë e tij”, tha avokati, duke shtuar se ai do të dorëzohej kur të thërritej nga Policia.

Disa orë pas kësaj deklarate, Frrokaj u dorëzua në Polici.

SI NISËN HETIMET

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017, kur në Prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrorë tokë shtetërore ranishte, që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve. Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte, i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemëtore”.

Sipas vendimit për sekuestrim, parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa më pas Gjykata vendosi që ai të hetohet në gjendje të lirë. Krahas Frrokajt, mes 20 personave të marrë të pandehur ka qenë edhe xhaxhai i ish-deputetit të PS-së Arben Ndoka, Gjon Ndoka.

Ky i fundit është akuzuar për tjetërsim të pronave në Kune dhe Mal të Reçit në Lezhë. Mes të pandehurve është konstatuar edhe emri i Bledar Carës, ish-kryeregjistruesit të Hipotekës Lezhë, që dilte në përgjimet e bëra nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe për dosjen e arrestimit të 44 personave. Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në Gjykatë dosja u dërgua për 18 persona.

NËN AKUZË, EDHE NGA SPAK

Për tjetërsim pronash në bregdet, ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, dhe ishkryetari i qarkut, Gjok Ndoka, dhe një pjesë e mirë e të dënuarve të së premtes, janë marrë të pandehur dhe nga Prokuroria Speciale.

SPAK-u i akuzon ata si pjesë e një grupi të strukturuar për tjetërsimin e pronave të zbuluar pas një hetimi të nisur në vitin 2019, ndaj një grupi të narkotrafikut. Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën dërgimin për gjykim të dosjes ndaj ish-kryebashkiakut Frrokaj, ish-kreut të Këshillit të Qarkut, Ndoka, ish-drejtorin e Urbanistikës së Bashkisë Lezhë, Sokol Toma, dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë lokalë, të cilët i akuzon për “Tjetërsimin e pronave në bregdet dhe përfitimin e tyre në kundërshtim me ligjin”.

Sipas Prokurorisë, gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se “nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme, është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milionë euro”.