Balla: Angazhim i të gjithëve për mbarëvajtjen e negociatave
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në çelje të Shkollës Europiane të Integrimit, se “pa angazhim kolektiv nuk mund të mbyllet cikli i nisur i reformave”.
Në fillim të fjalës së tij, Balla vlerësoi se kjo shkollë prestigjioze mbi integrimin organizohet në një moment të rëndësishëm për sa i përket procesit të integrimit europian.
“Disa orë më parë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel njoftoi për mbajtjen e samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë. E përshëndesim si vendim për shkak të mesazheve të rëndësishme që ky samit pritet të përcjellë për Shqipërinë por padyshim edhe për Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Balla theksoi se sfida përpara nesh lidhet me negociimin e pesë kapitujve të grupit të parë të ashtuquajturat “thelbësoret”.
“Një udhërrëfyes i rëndësishëm në këtë drejtim është natyrshëm raporti vjetor i Komisionit Europian, gjetjet e të cilit i diskutuam vetëm pak ditë më parë pikërisht në këtë sallë. Ashtu siç e theksova edhe në takimin e kaluar të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian me rëndësi është fakti që në tërësi vlerësimet nga Raporti për ecurinë në çdo kapitull të acquis janë pozitive, nuk ka asnjë kthim pas në parimet themelore, por vetëm progres të qëndrueshëm në të gjitha fushat”, tha ai.
Balla theksoi se nuk është e rastësishme që fusha ku është evidentuar progres në vlerësim është ajo e drejtësisë, ku është rritur vlerësimi në nivelin mesatar të përgatitjes në krahasim me raportin e mëparshëm.
“Si maxhorancë gjithmonë kemi besuar në atë që John Adams i referohet me “qeverisje të bazuar në ligje dhe jo në individë”, ndaj dhe mbështetja për Reformën në Drejtësi ka qenë e pakushtëzuar. Sigurisht jemi të vetëdijshëm që ky trend i konsolidimit të arritjeve veçanërisht në kapitullin 23 dhe 24 duhet të vazhdojë në mënyrë të vendosur ku secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur; si përfaqësues të qeverisë, parlamentit, shoqërisë civile, biznesit apo medias”, shtoi ai.
Sipas Ballës, “vitet në vazhdim do të jenë veçanërisht sfidues për Shqipërinë dhe do të kërkojnë njohuritë dhe ekspertizën tuaj në fusha specifike”.
“Siç kanë dëshmuar edhe eksperiencat e suksesshme të integrimit në familjen europiane të vendeve të tjera, pa angazhim kolektiv nuk mund të mbyllet cikli i nisur i reformave. Dhe për mbarëvajtjen e procesit kompleks të negociatave do të kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertëve tanë brenda dhe jashtë vendit. Për këtë qëllim kërkoj vëmendjen tuaj gjatë dy javëve të zhvillimit të kësaj shkolle për të marrë më të mirën e mundshme nga ekspertët dhe lektorët e përzgjedhur”, tha Balla.