Ish-presidenti Bamir Topi, thotë se marrëveshja politike që Ilir Meta dhe Sali Berisha firmosën sot për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, është një përpjekje e sforcuar për të mbajtur ende në lojë kryetarin e PD.

“Unë e njoh mjedisin e djathtë politik dhe më duket këto marrëveshje të sforcuar, nuk janë organike. Kur gjërat nuk kanë shkuar mirë për shkak të mungesës së besueshmërisë së PD-së ku gjërat janë bërë lesh e li dhe mendoj se është një aliazh tjetër, ku në mënyrë të sforcuar po mundohet të mbahet në lojë një personazh, i cili rikthehet në mënyrë jo natyrale në skenën politike”, u shpreh ai. I ftuar në emisionin “Drejt”, Bamir Topi ka folur dhe për përplasjet në PD. Sipas tij, historia e kësaj force politike është një histori e një partie që i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe lufta për vulë dhe sigël është amorale. “Historia e PD-së është një histori e një partie që i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe lufta për vulë dhe sigël është amorale. Nëse ata janë të fuqishëm në misionin e tyre politik këta mund të krijonin një parti tjetër dhe të tjerë që janë eliminuar nga PD-ja të gjenin mundësinë për tu afruar. Mazhoranca nga ana tjetër është pa kundërshtarë. Opozita ende sot, me këtë marrëveshje janë në një ndeshje miqësore me klubin e tyre”, ka vijuar më tej Bamir Topi, ish-president i Republikës.