Tirana fitoi pasditen e sotme 91-63 ndaj Partizanit në derbin kryeqytetas në basketboll për femra, takim i luajtur në “Fahrie Hoti”. Ndeshje e dominuar nga vajzat bardheblu, që korrën fitoren e tretë në po kaq takime të luajtura, duke marrë kreun e renditjes.

Që në periodën e parë Tirana tregon forcën e saj, duke u shkëputur 33-16, diferencë të cilën e administron me kujdes deri në fund. Partizani shpreson të afrohet në mesin e takimit, por pa sukses, duke u dorëzuar në 10-minutëshin e fundit.

Aida Palko me 23 pikë e 10 rebound, që deri vjet luante pikërisht me të kuqtë, ishte lojtarja më e mirë për Tiranën, mbështetur edhe nga Dushnica e Qosja, me nga 19 pikë secila. Te Partizani, që pësoi umbjen e dytë radhazi, mungoi lojtarja lider.

Në “Asllan Rusi”, ekipi i Studentit mposhti 84-44 Elbasanin, duke iu bashkuar skuadrave të kreut. Një sfidë pa shumë histori, ku kryeqytetaset patën gjatë gjithë kohës epërsi dhe e merituan fitoren. Pellumbi e Toska, me nga 22 pikë secila, ishin më të mirat në fushë për kryeqytetaset.