Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së, sipas asaj që mësohet, ka miratuar një paketë sanksionesh kundër Iranit të lidhura me represionet e protestave të fundit. Masat kufizuese do të prekin 11 persona dhe katër subjekte iraniane. Ata do t’i nënshtrohen ndalimit të vizave dhe ngrirjes së aseteve nga BE.

Mes të sanksionuarve është edhe e ashtuquajtura Polici Morale. Shefi i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell paralajmëroi sot se shpresonte që ministrat e Jashtëm të bllokut të miratonin sanksione të reja kundër Iranit, në një takim në Luksemburg.

“Ka një paketë sanksionesh në tryezë për të mbështetur gratë e guximshme dhe protestuesit në Iran. Shpresoj që edhe ministrat ta miratojnë këtë paketë”, theksoi Borrell duke mbërritur në takim.

Borrell tha se ”ministrat do të diskutojnë gjithashtu akuzat se Irani po dërgon dronë në Ukrainë”. Diplomati i lartë i BE-së pret gjithashtu që ministrat ”të japin miratimin e tyre zyrtar për një mision trajnimi të BE-së për rreth 15 000 ushtarë ukrainas dhe të miratojnë 500 milionë euro shtesë (487,3 milionë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën”.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe do ta bëjmë”, theksoi Borrell duke iu referuar një raporti të UNICEF-it, sipas të cilit ”varfëria e fëmijëve në rajon është rritur 19% në muajt e fundit”.