Marrëdhënia Broja-Reja, duket e destinuar për të qenë gjithmonë e tendosur. Pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që sulmuesi i Çelsit disponon, ai nuk ka qenë në qendër të projektit nga trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili së fundmi në një intervistë të dhënë për “Radio Goal”, në Itali, e ka cilësuar sulmuesin shqiptar si shumë individualist. Teksa u pyet për ecurinë fantastike të Napolit dhe për zërat e merkatos, ku shpeshherë është folur për një kalim të mundshëm të Brojës, te klubi italian i Napolit, trajneri aktual i Kombëtares shqiptare u shpreh:
“Armando Brojën nuk e shikoj te Napoli, është shumë individualist, më duket si Osimhen. Me Raspadorin besoj se Spaleti ka gjetur formacionin ideal”. Ndërkohë për sa i përket ecurisë së Napolit, Reja deklaroi: “Kristiano Giuntoli nuk gaboi në asnjë një blerje. Puna e drejtorit sportiv është diçka e jashtëzakonshme. Nuk është e lehtë të jesh në gjendje për të ndërtuar një ekip si Napoli, të gjithë lojtarët janë shumë të rëndësishëm. Ai nuk gabon kurrë.
Luçiano Spaleti është një trajner i madh: Unë e kam thënë gjithmonë këtë. Mbrojtja e bluve është shumë solide, mesfusha është shumë e fortë: Lobotka dhe Anguisa përbëjnë një digë praktikisht të pakapërcyeshme. Po Zielinski? Polaku ka një klas superior. Ka entuziazëm të madh dhe e kuptoj që grupi është shumë i rëndësishme, është e pamundur ta përmbash këtë skuadër” shtoi Reja.