Policia e Shtetit finalizoi gjatë kësaj jave 33 operacione policore për goditjen e paligjshmërive në fusha të ndryshme.

4 megaoperacione policore u finalizuan gjatë kësaj jave nga DVP-të Lezhë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Në kuadër të operacionit “Pritja”, pas një periudhe intensive hetimore, Policia zbardhi vrasjen e një 16-vjeçari, të ndodhur në Kurbin, në vitin 2015.

Po ashtu, 1287 lloje të ndryshme medikamentesh të kontrabanduara, të gjetura në farmacinë dhe në banesën e 2 bashkëshortëve të arrestuar u sekuestruan në kuadër të megaoperacionit “Storage”.

Në bashkëpunim intensiv me partnerët për goditjen e krimeve ndërkombëtare, si dhe për kapjen e të kërkuarve ndërkombëtarisht, Policia finalizoi operacionin ndërkombëtar e përbashkët me policinë turke “Përtej kufijve”, në kuadër të së cilit u sekuestruan armë zjarri, sasi të drogave të ndryshme dhe bimë narkotike.

Po ashtu, në Tiranë u sekuestruan pasuri me vlerë 5 milionë euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, si dhe sekuestrohen në Fier, 18 380 euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e narkotikëve.

Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar 471 shtetas, nga këta: 168 janë arrestuar, 274 janë proceduar penalisht dhe 29 janë shpallur në kërkim.

Po ashtu, janë lokalizuar dhe kapur 33 shtetas në kërkim, nga të cilët 32 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

Dhjetëra raste të vënies përmes celularëve të basteve sportive janë goditur në çdo qark të vendit. 23 shtetas u vunë në pranga për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Policia evidentoi dhe goditi gjithashtu, 26 raste të krimeve mjedisore dhe 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Policia Rrugore vijon monitorimin e pandërprerë të qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, nëpërmjet mjeteve inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Si rezultat i monitorimeve, janë pezulluar në total 743 leje drejtimi, nga të cilat: 614 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 98 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 31 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Përmes përdorimit të alkool-testuesve dhe si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, janë arrestuar 103 drejtues mjetesh, nga këta: 51 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 52 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Po ashtu, janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 5 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 4 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare vijon kontrolle intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Në bashkëpunim me DVP-të përkatëse, janë goditur 8 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Po ashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, 3 shtetas për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 shtetas për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”, 1 shtetas për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe 1 shtetas tjetër për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet në çdo qark të vendit, ndaj shtetasve dhe në ambiente të ndryshme, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, si dhe për goditjen e paligjshmërive në tërësi.

Bashkëpunim i përditshëm me oficerët e sigurisë, stafet pedagogjike dhe bordet e prindërve, për të parandaluar dhe trajtuar çdo problematikë që mund të shfaqet në shkolla dhe që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit.