Ish-kryeministri Boris Johson, u kthye në Britaninë e Madhe mëngjesin e së shtunës, teksa pritet që ai do të bëjë përpjekje që të kthehet në postin e kryeministrit. Johnson dha dorëheqje nga posti i kryeministrit tre muaj më parë, pas një sërë skandalesh etike. Ai u kthye më 22 tetor në Londër, duke ndërprerë pushimet në Republikën Domenikane, disa ditë pas dorëheqjes së pasardhëses së tij, Liz Truss.

Zyrtarisht, Johnson nuk ka thënë se do të garojë për postin e kryeministrit, por disa aleatët të tij partiakë kanë bërë thirrje që ai të kthehet në këtë pozitë. Politikanët që duan t’i hyjnë garës për kryeministër të Britanisë, duhet të fitojnë mbështetjen e 100 bashkëpartiakëve në Partinë Konservatore, deri të hënën në orën 14:00. Një rikthim i mundshëm i Johnsonit do të ishte një rikuperim i figurës së tij, pasi qeverisja e tij u godit nga skandale etike. Kundërshtarët kanë argumentuar se nëse Johsonit i jepet edhe një shans për të udhëhequr me shtetin, kjo mund të çojë në më shumë kundërthënie dhe zhgënjim.

Kriza politike në Britani vjen në kohën e dobësimit të rritjes ekonomike dhe të sfidave të mëdha pas rritjes së çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe gjërave të tjera elementare. Liz Truss dha dorëheqje të enjten pas 45 ditësh në postin e kryeministres. Ajo tha se nuk mund të zbatonte paketën e saj ekonomike, që përfshinte shkurtimin e taksave, dhe u detyrua që të jepte dorëheqje, pasi politikat e saj ekonomike shkaktuan trazira në tregjet financiare./REL