Banorët e Burrelit do të kenë brenda majit 2023 furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zv/kryeministrja dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe kryetari i bashkisë së Burrelit, Agron Malaj, panë nga afër punimet që po kryhen për ujësjellësin e ri. Rama tha se ujësjellësi i ri i Burrelit është një projekt madhor që do të sigurojë 24 orë ujë të pijshëm për banorët. Ministrja Balluku theksoi se “si në fushën energjetike dhe në furnizimin me ujë sfida jonë janë matësat e zgjuar, pasi çdo lloj investimi që ne bëjmë, në rast se nuk arrin të matet ashtu siç duhet, të ardhurat nuk janë ato që ne presim”.

“Duke pasur matësat inteligjentë në fushën e furnizimit me ujë dhe të energjisë elektrike ne ofrojmë shërbime të dedikuara çdo abonenti”, shtoi Balluku. Ministrja Balluku u shpreh se “duke ndërtuar impiante fotovoltaike në ndërtesat që këto ujësjellës kanë, do të ulim edhe kostot e operimit”. “Sfida jonë e ardhshme është Durrësi, pasi duke qenë se ujësjellësi ka 4 stacione pompimi dhe ka konsumin më të madh të energjisë në Shqipëri, pasi vjen nga Fushëkuqja, sfida e ardhshme e kësaj reforme është eficienca e energjisë”, tha Balluku.

Inxhinieri që ndjek punimet tha se “ky ujësjellës është investim i qeverisë shqiptare për furnizimin me 24 orë ujë të Burrelit, i cili ka pasur investimet e tij të para në vitet ’70, por nuk ka siguruar asnjëherë 24 orë ujë. Nëpërmjet depove të reja do të bëhet furnizimi i gjithë qytetit. Përveç zgjidhjes inxhinierike që është fantastike dhe është për herë të parë në Shqipëri që implementojmë për herë të parë për të shfrytëzuar kuotat dhe lartësinë me gravitet që të shmangim konsumin e energjisë”.

“Parashikojmë 43 km linjë shpërndarje, 4500 matësa të zgjuar dhe 14 zona shërbimi që të bëhet monitorimi i të gjithë furnizimit dhe operimit të qytetit”, tha ai. Gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare ka kryer investime të shumta për përmirësimi e furnizimit me ujë sipas standardeve më të mira si në zonat urbane, dhe ato rurale.