Vetëm pak muaj më parë, Elsa Lila pushtoi mediat italiane dhe vendase, teksa u njoftua arrestimi i saj, së bashku me një grup kriminal në Romë. Këngëtarja e njohur u arrestua në mars të këtij viti pasi dyshohej për përfshirje në një organizatë kriminale, por pas hetimeve dhe provave këngëtarja u shpall e pafajshme dhe u lirua nga të gjitha akuzat.
Së fundmi, artistja i është bashkuar rrjetit social “Instagram” dhe shihet se përgjatë ditëve të fundit ka qenë shumë aktive. Elsa ka kujtuar me nostalgji disa nga performancat e saj në koncerte të ndryshme.
Me postimet e fundit në “InstaStory”, këngëtarja ka realizuar një set fotografik nga Fadil Berisha dhe ajo çka mund të vihet re është se Elsa duket në formën e saj më të mirë. Por duket se tashmë që akuzat ndaj saj kanë rënë, artistja është gati të rikthehet në vendin e saj, dhe jo vetëm kaq, por edhe t’i rikthehet muzikës. Lajmin e ka dhënë vetë Elsa, nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen! Ju dua dhe më mungoni. Shihemi shpejt në Shqipëri!, shkruan Elsa Lila, ku dhe nuk ka harruar të vërë hashtagun “New Song”, duke njoftuar kështu një produksion të ri muzikor.
Me shumë interes është duke u pritur kjo këngë, duke qenë se prej shumë vitesh artistja ishte larguar nga skena muzikore.
Kujtojmë se disa muaj me parë Elsa Lila u la e lirë nga autoritetet italiane dhe se ndaj saj u pushuan të gjitha akuzat.
Këngëtarja shqiptare u arrestua më 16 mars të këtij viti nga policia italiane pas operacionit për shkatërrimin e një grupi kriminal italo-shqiptar që merrej me trafik droge.
Blutë italiane vunë në pranga 9 persona, mes të cilëve edhe këngëtaren 40-vjeçare Elsa Lila, e cila sipas mediave mbante llogaritë financiare të grupit kriminal.