Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë kanë bërë publikë emrat e ministrave të Qeverisë së re të Serbisë, që do të udhëhiqet nga Ana Bërnabiç.
Lideri i socialistëve, Ivica Daçiç, do të jetë ministër i Punëve të Jashtme, kryetar i Byrosë së Koordinimit të Shërbimeve të Sigurisë dhe zëvendëskryeministër i parë. Ai rikthehet pas dy vjetësh në krye të diplomacisë serbe.
Branisllav Shashiç, ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Informacionit (BIA) do të jetë ministri i ri i Punëve të Brendshme të Serbisë. Millosh Vuçeviç, ish-kryetari i Novi Sadit dhe anëtar i lartë i Partisë Përparimtare Serbe, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të ketë edhe postin e zëvendëskryeministrit.
Sinisha Malli do të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë e Financave dhe po ashtu do të jetë edhe zëvendëskryeministër. Ndërkaq, Maja Popoviq po ashtu do të vazhdojë të jetë ministre e Drejtësisë.
Ndryshime ka në udhëheqjen e disa dikastereve të tjera, përfshirë Ministrinë e Integrimit Evropian, atë të Infrastrukturës, Energjisë dhe Tregtisë.
Qeveria e re serbe po ashtu do të ketë edhe ministra pa portofol, por edhe dy ministra nga radhët e minoriteteve. Husein Memiç do të jetë ministër i Turizmit dhe Rinisë. Memiç ishte bartës i listës së Partisë Demokratike të Sanxhakut.
Ndërkaq, Tomisllav Zhigmanov, kryetar i Unionit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë, do të udhëheqë Ministrinë për të Drejtat e Minoriteteve dhe Dialogut Social.
Partia Përparimtare dhe ajo Socialiste kanë numrat e nevojshëm në Parlament për të formuar Qeverinë. Parlamenti pritet të zgjedhë Qeverinë e re javën e ardhshme.
Qeveria e re serbe do të ketë 25 ministri, apo katër më shumë sesa ekzekutivi paraprak.
Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 3 prill. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 korrik për shkak se në disa qendra të votimit në jug të Serbisë u përsëritën zgjedhjet.